Meta: Etilda Gjonaj të japë dorëheqjen. Reagon Ministrja e Drejtësisë

Presidenti Ilir Meta njoftoi se brenda ditës së hënë do të kallëzojë penalisht ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

“Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe partneritetet ndërkombëtare u njohën dje me veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit flagrant të kryera nga institucioni i Ministrit të Drejtësisë lidhur me KED. Provat do ia dorëzojmë SPAK-ut, ku rezulton se është përfshirë drejtpërdrejtë ministrja Etilda Gjonaj, por dhe funksionarë të lartë të këtij institucioni, në varësi të saj, në llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta.

“Gjonaj ka urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm të dërgonte për botim në Fletoren Zyrtare një vendim që duhet botuar vetëm në faqen e Gjykatës Kushtetuese. Ministrja nuk ka asnjë rol të dërgojë aktet e KED për botim.

Ka urdhëruar botimin pa ia kërkuar askush. Ministrja ka shpërdoruar detyrën, falsifikim dhe ndërhyrje e paligjshme në proces. Brenda ditës së hënë do depozitoj pranë SPAK kallëzimin penal ndaj ministres Etilda Gjonaj dhe jo vetëm”, shtoi Meta.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar menjëherë pas akuzave të bëra nga presidenti Ilir Meta.

Gjonaj ka sfiduar publikisht Metën duke i thënë se është e gatshme t’i përgjigjet ligjërisht.

Sa për kërkesën për dorëheqje, Gjonaj ironizon duke i treguar se ka në dorë vetëm të tijën.

‪”E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; 

një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!

‪Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit  botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! 

Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër”, shkruan Gjonaj.