Zbulohet trafiku i mbetjeve toksike/ Amianti kancerogjen bllokohet në tragetin nga Italia, groposej në Vlorë! SKEMA që zbatonin 6 të arrestuarit

VLORË – Një rrjet i trafikut të mbetjeve toksike dhe lëndës kancerogjene amiant, është zbuluar nga policia shqiptare, ku qëllim ishte sjellja e këtyre mbetjeve të rrezikshme nga Italia, dhe groposja e tyre në qytetin e Vlorës.

Skema u zbulua me bllokimin në portin e Vlorës brenda një trageti të ardhur nga Brindisi i Italisë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, të ndaluara me ligj në Shqipëri, mes të cilave edhe amianti, fibra natyrale, ndër shkaktarët kryesore të sëmundjeve kancerogjene.

Me marrjen e informacioneve në rrugë operative, policia arriti që ta bllokojë këtë sasi pa lejuar që amianti të nxirrej nga trageti i mbërritur në postin e qytetit bregdetar.

Por burime konfidenciale nga policia, thonë se kjo nuk ishte rruga e parë e këtij rrjeti kriminal. Mbi 15 rrugë dyshohet të jenë kryer, çka do të thotë se mbetjet e rrezikshme në këto rrugë të pazbuluara nga policia më parë, kanë arritur të groposen në vendin tonë.

Në bashkëpunim me policinë kriminale, atë të Vlorë, të Kufirit, Prokurorinë e Vlorës dhe ministrinë e Mjedisit, u arrit të zbulohen personat e parë pas kësaj skeme kriminale, ndërkohë që operacioni është në vijim për të zbuluar përfshirjen e të dyshuarve të tjerë.

Trageti u sekuestrua nga policia bashkë me një furgon mallrash ku ishte amianti.

Pjesa më e rrezikshme e këtij trafiku, fshihet pas dhjetëra fuçive me mbishkrimin “eni” një kompani italiane e naftës dhe gazit me seli në Romë, e cila për policinë, “kishte mbetje të rrezikshme”, por që nuk dihet ende konkretisht se çfarë lënde është dhe sa të rrezikshme mund të jenë për shëndetin.