Ish- deputeti Sarandës: Rrënimi i vendit nuk erdhi as nga tërmeti, as nga virusi, por nga elita e vjetër politike

Ish- deputeti i Sarandës, Koço Kokëdhima, ka sulmuar sot elitën e vjetër politike, që sipas tij vijon agjendën e saj si në gjithë 23 vitet e shkuara.

Kokëdhima, që është vetë pjesë e kësaj elite të vjetër që ai sulmon, thekson se rrënimi i vendit nuk erdhi as nga tërmeti dhe as nga virusi KOVID-19, por nga politika e vjetër.

“Në kulmin e epidemisë së coronavirusit, me një popull të tërë të izoluar, pa punë dhe pa mjete jetese, elita e vjetër politike vijon agjendën e saj si në gjithë 23 vitet e shkuara. Sot shumica u mblodh për të zgjatur afatin e Komisionit Hetimor ndaj kreut të shtetit, në një kohë kur shteti ka kyçur dhe paralizuar gjithçka, ndërsa qindra-mijëra njerëz janë në kufijtë e urisë, pas tri javëve në izolim.

Elita e vjetër politike i mban ndezur konfliktet e sajuara politike për të larguar vëmendjen nga dhjetra problemet e rënda që po kalon vendi. Mbi 10 mijë shqiptarë janë ende të pastrehë, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 dhe epidemia e coronavirusit i ka shtyrë projektet e Rindërtimit.

Qeveria u ka ofruar një kafshatë bukë qindra mijëra të ngujuarve të papunë për muajin prill, por ekonomia dhe jeta sociale nuk kanë asnjë ndihmë dhe shpresë për financim.

Ekonomia reale e Shqipêrisë ka ngrirë dhe po shkon drejt rrënimit të plotë, financat e shqiptarëve janë në gjendje “shock”-u dhe po shkatërrohen.

As kjo panoramë e zymtë nuk e ndalon talljen e partive të vjetra dhe ‘baballarëve të kombit’ me shqiptarët, siç kanë bërë prej vitit 1997, me marrëveshjet e tyre që kanë përmbysur sundimin e ligjit dhe pluralizmin.
Kacafytjet e tyre për pushtet na kujtojnë se marrëveshja apo lufta për të mbajtur a ndarë gjithçka mes tyre është e vetmja gjë që funksionon këtu.

Popullit të zhveshur nga të gjitha pushtetet i vijnë fatkeqësi si nga marrëveshjet edhe nga lufta mes tyre.

Rrënimi i vendit në të vërtetë nuk erdhi as nga tërmeti dhe as nga virusi KOVID-19, por nga elita e vjetër politike. Pa demokratizuar Shqipërinë dhe pa larguar këtë elitë politike nuk kemi shpëtim”, shkruan Kokëdhima. /Sarandanews.com/