Koronavirusi, Basha: Mbetet urgjente ndryshimi radikal i testimeve

Në një konferencë për mediat këtë të martë, kreu demokrat Lulzim Basha, u shpreh se Shqipëria ia ka dalë të mbajë kurbën e të prekurve nga koronavirusi nën kontroll dhe kjo “falë ndërgjegjësimit të qytetarëve për të qëndruar në shtëpi në këto ditë të vështira pandemie”.

Më tej, Basha u shpreh se mbetet urgjente ndryshimi radikal i testimit.

“Ndonëse numri i të konfirmuarve të prekur me koronavirus është në shifra të menaxhueshme, shqetësues është fakti se përqindja e viktimave është i lartë dhe kjo tregon se numri i testimeve është i ulët”, tha Basha.

Po ashtu, Basha u shpreh se në mënyrë urgjente duhet të ndërhyhet për të ndihmuar të gjitha bizneset dhe qytetarët për t’i garantuar atyre ushqime dhe një minimum jetik.