Koronavirusi në Shqipëri, 6 propozimet e PD në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bëri 6 propozime të cilat duhet të përfshihen, sipas tij, në planin e masave të marra nga qeveria shqiptare për frenimin e përhapjes së koronavirusit dhe mbrojtjen e ekonomisë në shqiptare.

“Sot ekonomia shqiptare ka nevojë për garanci dhe mbështetje! Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë urgjentisht masa të forta dhe të shpejta për të kompensuar impaktin negativ të Koronavirusit në ekonominë tonë. Ne duhet t’i paraprijmë patjetër kësaj krize, dhe jo ta ndjekim pas, në të kundërt do rrezikojmë shumë. Në çdo vend të prekur nga koronavirusi, paralelisht me masat ekstreme për të parandaluar përhapjen, janë përcaktuar edhe masa të forta mbështetëse, financiare dhe fiskale, për qytetarët dhe për bizneset”, tha Basha.

1.  Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).

2.  Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.

3.  Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).

4.  Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

5.  Të përjashtohen nga kamatëvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.

6. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

“Nuk ka më kohë për të pritur. Ndaj i bëj thirrje qeverisë që pa asnjë vonesë të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe të ndërmarrë këto masa në mbështetje të qytetarëve, të të punësuarve dhe të bizneseve te vogla, të mesme dhe sipërmarrjes në tërësi”, shtoi kreu i PD.