Njoftuan Ramën për veprimin e padëgjuar kundër koronavirusit, por çfarë ndodhi në 19:00 në Vlorë?

Vlonjatët zhgënjejnë kryeministrin. Mesditën e sotme Edi Rama tha se e kishin njoftuar se në orën 19:00 në Vlorë nga ballkoni qytetarët do të dalin për të bërtitur e sharë ndaj koronavirusit.

Në pamundësi për të qenë edhe vetë i pranishëm, kreu i qeverisë u dha mbështetjen nga larg.

“Më shkruanin nga Vlora se paskan vendosur të dalin sonte në ballkon në 19:00  të shajnë virusin nga motra. Çudi si duruan kaq gjatë që nuk u morën me motrën e kompetentit që po çmend botën, në pamundësi t’i bashkohem sot në ritualin e tyre luftarak, u jap mbështetjen time si deputet i Vlorës me kusht që ta bëjnë nga ballkoni e mos të bëjnë xhap jashtë derës së shtëpisë” ishte porosia e Ramës.

Por në orën 19:00 në qytetin bregdetar dëgjoheshin vetëm cicërimat e zogjve, pasi qytetarët ishin të gjithë brenda duke mos e mbajtur ‘premtimin’ që i dhanë kryeministrit.