Rama: Ne do t’ia dalim më shpejtë se shumë të tjerë, por bëni rezistencë

Me anë të një video-mesazhi në Facebook, kryeministri Rama bëri edhe njëherë thirrje që të gjithë duhet të qëndrojmë të mbyllur për të fituar këtë luftë, pasi kjo është e vetmja zgjidhje.

“Nuk më pëlqen të bëjë rolin e babait. Kur babai bëhet i rreptë, diçka nuk shkon. Mua nuk më pëlqen të mbyllë shkolla dhe të marrë këto masa.

Ju them pa pushim të mbroni veten, familjen tuaj, nga kjo mortje. Nuk e shihni ju se çfarë ndodh matanë detit. Edhe ushtria e plotfuqishme amerikane, ka nxjerrë makinat e blinduara për të mbyllur brenda njerëzit. As Amerika nuk ka ilaç për këtë luftë, përveç mbylljes brenda”.

Më tej, ai the se ne po bëjmë maksimumin brenda mundësive tona dhe se shqiptarët nuk kanë vdekur ndonjëherë për bukë.

“Iluzionet sot nuk zhgënjejnë, por mund të vrasin njerëz. Po si ka mundësi të mos e kuptoni se asnjë shtet nuk mund të garantojë vazhdimin e jetës normal, por të mbrojë jetën e secilit në këtë luftë.

Kaq të vështirë e keni ta kuptoni se nuk po përplasemi me një mur të vdekurish që rritet çdo ditë, pikërisht që po bëjmë gjënë e duhur? Nga uria shqiptarët nuk kanë vdekur kurrë. Edhe në kohën më të errëta të historisë kanë mbajtur njëri-tjetrin”.

Në fund të fjalës së tij, Rama dha edhe një fjali inkurajuese, duke thënë se Shqipëria do t’ia dalë më shpejtë se shumë vende të tjerë, pasi mori masat më herët. “Ajo kurba nuk po rritet pasi është rezultat i kësaj rezistence. Megjithatë, ka vetëm një rrugë: rezistencë për ekzistencë”, e mbylli fjalën e tij kryeministri.