Shoqata e industrisë së Turizmit Sarandë kërkesë me 6 pika Ramës: Na ndihmo ose përfundojmë në kolaps!

Shoqata e industrisë së Turizmit të rrethit Sarandë i ka dërguar një kërkesë kryeministrit Rama në të cilën bën me dije se nëse nuk aplikohen politika emergjente në mbrojtje të Industrisë së Turizmit, ajo mund të përfundojë në kolaps në një kohë shumë të shkurtër për shkak të COVID-19.

Kërkesa e cila i është drejtuar edhe Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kreut të Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma është bërë pas një konsultimi të kësaj shoqate me shoqatat homologe të qyteteve të tjera: ATU, ATA, ATOA.
Kërkesa e Shoqatës së industrisë së Turizmit Sarandë drejtuar pushtetit vendor dhe lokal përmban 6 pika, të cilat janë:

  1. Mos aplikimi i taksës vendore për vitin 2020.
  2. Mos aplikimi i tatim fitimit për të paktën 3 muaj.
  3. Përgjysmimi i taksës së ndërtesës për vitin 2020.
  4. Subvencionim të pagesës së sigurimeve shoqërore të paktën 3 muaj.
  5. Suport për pagën minimale edhe për bizneset e mëdha të sektorit të turizmit.
  6. Shtyrja e afateve të pagesave të kredive të paktën për një periudhë 6 mujore.
    Sipas kësaj shoqate, “këto kërkesa janë jetike për industrinë e turizmit”, e cila “pas goditjes që i dha tërmeti i 26 nëntorit”, tashmë e ka tepër të vështirë të qëndrojë në këmbë me masat e marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.