Vlonjatët më të shqetësuarit për coronavirusin, e tregojnë kërkimet në internet

Kërkimet në internet të popullsisë shqiptare, matur nga Google Trend tregojnë se qytetarët në Shqipëri ishin të pashqetësuar për sëmundjen e coronavirusit deri më 22 janar, kur kanë nisur të shfaqin një interes të ulët.

Prej mesit të shkurtit, Google tregon një rritje të jashtëzakonshme të klikimeve në motorin e kërkimit për coronavirusin, i cili kulmon më 24 shkurt, kur pati dhe kërkimet më të mëdha nga i gjithë territori shqiptar.

24 shkurti përkon me shtimin e ndjeshëm të rasteve në shtetin fqinj të Italisë, kur pati 224 të infektuar dhe shtatë viktima.

Deri para afrimit në Itali, coronavirusi konsiderohej si një problem i kontinentit Aziatik, veçanërisht Kinës.

Në rreth dy javë më pas, Italia është vendi i dytë më i prekur dhe më 10 mars numëroi rreth 10.000 të prekur dhe 631 të vdekur.

Mëngjesi i 9 marsit, kur shumë shqiptarë u zgjuan me lajmin se coronavirus kishte mbërritur në Shqipëri pas konfirmimit të dy rasteve të para, ishte kulmi i kërkimeve për marsin lidhur me coronavirusin në Shqipëri matur në javën e fundit.

Në matjen rajonale, Google Trends sugjeron se në 90 ditët e fundit qarku Lezhës dhe ai Gjirokastrës kanë shifrën më të lartë të indeksit të kërkimit të fjalës “koronavirusi” në territorin e vendit tonë.

Por kërkimet në 7 ditët e fundit lënë pas këto qarqe për nga intensiteti i kërkimit për coronavirusin dhe qarqet që kryesojnë janë Vlora, Berati dhe Korça.

Popullsia në qarkun e Shkodrës po kërkon më së paku për coronavirusin në internet bazuar në të dhënat e 7 ditëve të fundit, ndërsa Elbasani ka qenë më pak i interesuari gjatë tre muajve të vitit 2020.

Trendi i hulumtimeve në internet matet në shkallën 0-100, ku zero është shifra më e ulët dhe 100-ta përfaqëson intensitetin më të lartë të kërkimeve.

Renditja (100 – intensiteti më i lartë; 0 – intensiteti më i ulët i kërkimeve; 7 ditët e fundit)

  • Vlora – 100
  • Berati – 99
  • Korça – 98
  • Durrësi – 95
  • Fieri – 95
  • Tirana – 94
  • Dibra – 88
  • Gjirokastra – 86
  • Elbasani – 75
  • Lezha – 73
  • Shkodra – 71

Qarku i Kukësit nuk ishte i diponueshëm për matje në motorin e kërkimit.

Tirana po e kërkon më së shumti coronavirusin edhe me fjalën kyçe “COVID-19”.

Të dhënat e mësipërme i përkojnë kërkimeve vetëm me fjalën e përgjithshme “koronavirusi”, ndërsa togfjalëshat që shoqërojnë kërkimet e shqiptarëve në shtatë ditët e fundit lidhen me mbylljen e shkollave dhe të prekurit.

Pas pikut të 9 marsit, kërkimet për coronavirusin në vend po përjetojnë një ulje të vakët në kërkime, nga 100 (maksimumi) në 60-70 pikët që shërbejnë për matjen e trendit.

Euronews Albania zbulon se popullsia shqiptare, bazuar në kërkimet në internet po ndjek me interes të veçantë situatën e coronavirusit në Itali, që janë fjalët kyçe të dyta më të kërkuara pas atyre për Shqipërinë.

Google Trends është një mjet teknologjik i Google, i cili mat çështjet e nxehta nëpër botë nga mënyra se si kryhet kërkimi në internet prej përdoruesve. Ai ofron mundësinë e gjurmimit gjeolokal të kërkimeve, por të dhënat janë të larmishme bazuar në mënyrën e filtrimit.

Euronews Albania përdori vendndodhjen e Shqipërisë dhe filtrin kohor të kërkimeve të 7 dhe 90 ditëve të fundit për të marrë rezultatet e mësipërme.