Vlorë, Leli: 1800 familje po mbështeten me pako ushqimore e medikamente

Bashkia e Vlorës po vijon pa ndërprerje operacionin humanitar për mbështetjen e pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për ATSH-në deklaroi se janë 1800 familje në nevojë në bashkinë që ai drejton, që janë mbështetur me pako ushqimore.

1500 familje, tha ai, janë identifikuar se kanë nevojë për tu ndihmuar bazuar në kriteret e vendosura në vendimet e qeverisë të nxjerra përmes Akteve Normative.

Ndërsa 300 familje të tjera që kanë kërkuar ndihmë janë mbështetur me pako ushqimore nga vet kreu i bashkisë si dhe qytetarë të Vlorës, të cilët janë solidarizuar në këtë situatë.

Leli tha se janë 80 punonjës të strukturave të bashkisë si dhe 20 vullnetarë çdo ditë në terren, në mbështetje të kujtdo që ka nevojë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se po ndihmohen edhe pensionistët e vetmuar dhe ata që kanë kërkuar ndihmë, duke u dërguar pensionin në banesë, duke kryer pazarin, ose duke u siguruar medikamentet e nevojshme.

“Kushdo ka nevojë të telefonojë në numrin e vënë në dispozicion nga Bashkia dhe do të asistohet menjëherë nga stafi ynë“, bëri të ditur Leli.