Abuzimi i 17-vjeçares në Sarandë/ Debat mes zv-ministrit të Brendshëm dhe gazetarëve: Policia nuk e mbrojti

Në Open në Top Channel u fol për skandalin e ndodhur në Sarandë ku një vajzë 17 vjeçare abuzohej seksualisht nga shokët e babait të saj. Duke folur për temën u zhvillua një debat mes gazetarëve të Fiks Fare dhe zv-ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.

Debati nisi kur gazetarja e Fiks Fare, Alisa Mysliu tha në Open në Top Channel se në këtë rast policia i mbylli derën 17-vjeçares. Kjo deklaratë e gazetares u kundërshtua nga zv-ministri.

‘Zonjë, nuk mund të thoni që emisioni Fiks Fare u hap derën qytetarëve për hallet e tyre, ndërsa policia ua mbyll derën’- tha Lamallari.

‘Po në këtë rast ia ka mbyllur. Vajza nuk do të vinte tek ne, në qoftë se asaj do i pranohej denoncimi’- e kundërshtoi gazetarja e Fiks Fare, Alisa Mysliu.

‘Nuk mund të përgjithësosh Policinë e Shtetit me këtë rast’- e kundërshtoi zv-ministri Lamallari.

‘Zotëri nuk po e përgjithësojmë, por ky është një rast i shëmtuar i një punonjësi të Policisë së Shtetit’- ndërhyri Dori, prezantuesi i Fiks Fare.