Dëshmia e Godivës, e njohur si vajza më e emanicipuar e Vlorës: Babai hapi librarinë e parë në 1914-ën, shkolloi katër djemtë në Europë dhe s’u bë komunist

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ibrahim Shytit me origjinë nga fshati Tragjas i Vlorës i cili që në moshë të vogël i internua nga turqit pasi kishte shkruar letra në gjuhën shqipe duke mësuar shkrim e këndim nga abetarja e Kristoforidhit. Dëshmia e së bijës së tij, Godiva Shyti, e cila rrëfen historinë e familjes së saj, nga katër vëllezërit që u shkolluan në universitetet e Europës, Hektori që u ekzekutua në Kampin e Prishtinës, Pupo, ekonomist në Komisjonin e Kontrollit të Shtetit, Vilhelmi ing. Elektrik në TEC-in e Fierit, Luteri ekonomist që s’pranoi të takonte Hysni Kapon kur i vajti në shtëpi, si dhe amanetin e babait të saj, Ibrahimit, patriotit e publicistit të famshëm, i cili që në vitet e para të shekullit të kaluar, hapi librarinë e parë në qytetin e Vlorës. E gjithë historia e Shytit në autobiografinë e shkruar nga vetë ai, dhe dokumentet që ndodhen në arkivin e tij?

Nga Dashnor Kaloçi

“Pak kohë përpara se babai ynë, Ibrahim Shyti, të ndërronte jetë, diku aty nga mesi i qershorit të vitit 1972, më thirri mua dhe më tha: Dëgjo Godiva, besoj se pas vdekjes sime, nipërit dhe mbesat tanë nuk do të kenë ndonjë interes të madh për arkivin tim personal, fototekën dhe bibliotekën, prandaj të lutem, që ato të mos humbasin, po ta lë me amanet që t’ia dhurosh shtetit’. Që nga ajo kohë e vazhdimisht për më shumë se 35 vjet me rradhë, unë kam bërë një farë seleksionimi e sistemimi të të gjithë dokumentacionit që ndodhet në arkivin personal të babait tonë, duke u marrë kryesisht me korespodencën mjaft të pasur që ai ka mbajtur me shumë nga patriotët më të njohur të Shqipërisë, e cila fillon që nga viti 1908-të e mbaron në vitin 1972, kur ai u nda nga jeta. Ndërmjet atyre qindra letrave, bien në sy emrat e patriotëve të shquar si: Leonidha Naçi, Josif Bagëri, Kristo Floqi, Kristo Luarasi, Milo Duçi, Jani Vruho, Dhimitër Berati, Qerim Panariti, Mit’hat Frashëri, Kostë Çekrezi, Kel e Gegë Marubi etj.

Po kështu përveç atyre qindra letrave që unë kam seleksionuar, në arkivin e babait ndodhen edhe mjaft dokumenta të tjera mjaft të vlefshme si edhe e gjithë fototeka e tij ku janë me qindra foto të ndryshme me vlera të mëdha historike që i përkasin ngjarjeve të shënuara e personaliteteve atdhetare e patriotike që kanë lënë emër të madh në historinë e vëndit tonë”. Kështu e kujtonte Godiva Shyti nga qyteti i Vlorës, porosinë dhe amanetin  babait të saj, patriotit të njohur Ibrahim Shyti, për t’i dhuruar Arkivit të Shtetit dhe Bibliotekës Kombëtare, arkivin e tij personal së bashku me bibliotekën dhe fototekën ku gjenden me qindra libra e foto të ndryshme me vlera mjaft të mëdha historike.

Po kush ishte Ibrahim Shyti, cila është origjina dhe e kaluara e familjes së tij, ç’farë aktiviteti patriotik ka pasur ai që nga vitet e para të shekullit të kaluar, kush kanë qenë patriotët shqiptarë me të cilët ka mbajtur korespodencë të rregullt dhe çfarë shkruhet në letrat e tyre? Cilët ishin fëmijët e Ibrahim Shytit dhe historia e tyre mes shkëlqimit dhe peripecive të pafundme?!

Godiva dhe pesë vëllezërit e saj që u diplomuan në Europë

Godiva Shyti u lind në vitin 1932 dhe është fëmija i fundit i Ibrahim Shytit i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Salushe Lilajn nga Berati, patën edhe pesë fëmijë të tjerë, të gjithë djem. Djali i madh ishte Luteri, e pas tij vinin: Pupo, Hektori, Moisiu dhe Ëilhelmi. Gjatë viteve 1939-‘44, e gjithë familja e Ibrahim Shytit u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe Hektori me Pupon dolën partizanë. Hektori mori pjesë në njësitet guerile të Vlorës ku u rrethua disa herë nga italianët dhe u burgos prej tyre. Pasi doli nga burgu, ai erdhi në Tiranë ku punoi disa kohë në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë Telegrafave, por edhe këtu ai nuk e ndërpreu veprimtarinë antifashiste dhe për këtë shkak në vitin 1943 u arrestua nga italianët dhe u internua në kampin e Porto-Romanos.

Pas daljes nga burgu, në vitin 1944, ai u arrestua pësëri nga gjermanët dhe u internua në kampin e Prishtinës, ku u ekzekutua së bashku me 104 shqiptarët e tjerë në tetorin e atij viti. Ndërsa vëllai tjetër, Pupo Shyti, ndërpreu studimet në Itali ku studjonte për Ekonomi dhe erdhi në Shqipëri për t’u lidhur me Lëvizjen Antifashiste. Nga Lufta ai doli me gradën e majorit dhe për shumë vjet punoi si ekonomist në Komisjonin e Planit të Shtetit në Tiranë, duke qenë një nga zyrtarët kryesorë të atij dikasteri. Vëllai tjetër, Vilhelmi, u diplomua për inxhinjeri elektrike në Pragë dhe më pas punoi si inxhinjer në Vlorë, në TEC-in e Fierit, në Mirditë dhe në shumë vepra të tjera industriale në të gjithë Shqipërinë.

Ndërsa vëllai i katërt, Luteri, përfundoi një shkollë të mesme ekonomike dhe punoi në Vlorë si llogaritar në disa ndërrmarje të atij qyteti. Kurse Godiva, motra e vetme e pesë vëllezërve Shyti, u diplomua në Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi dhe për shumë vjet punoi si mësuese dhe drejtoreshë në një nga gjimnazet e qytetit të Vlorës. Zonja fisnike Godiva Shyti, në periudhën e rinisë së saj, mbahet mënd si një nga vajzat intelektuale më të emancipuara të qytetit të Vlorës dhe ka qenë krahu i djathtë dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë e babait të saj, Ibrahimit. Ndonëse Ibrahimi ishte i dekoruar nga të gjitha qeveritë shqiptare për veprimtarinë e tij patriotike, ai nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste (PPSH-së) dhe kishte shumë rezerva për politikën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Shpesh herë në rrethin e ngushtë shoqëror, Ibrahimi shprehej hapur duke vënë në lojë politikën e atij regjimi dhe disa nga udhëheqësit e lartë të asaj kohe. Po kështu të tilla bindje kishin edhe djemtë e tij dhe njëri prej tyre, Luteri, nuk doli për ta takuar Hysni Kapon gjatë një vizite që ai bëri në shtëpinë e tyre në qytetin e Vlorës në vitet ’70-të, gjë e cila asokohe bëri bujë të madhe në atë qytet.

Kujtimet që ka lënë të shkruara Ibrahim Shyti

Ndërmjet qindra dokumentave, fotove dhe letrave që gjenden në arkivin personal të Ibrahim Shytit, të cilat për afro 30 vjet me rradhë janë ruajtur me një fanatizëm të madh nga e bija e tij, Godiva, ndodhet edhe një autobiografi e shkruar nga vetë Ibrahimi në vitin 1970-të, të cilën po e botojmë më poshtë me disa shkurtime të vogla. Midis të tjerash aty shkruhet: “Kam lindur në Tragjas në vitin 1879. Jam i biri i Tahir Mahmut Hoxhës dhe i Feride Kamber Delos. Si gjyshi nga ana e babait edhe nga ana e nënës kanë punuar për vatan në kohën e tyre. (Për këtë shih librin “Valët e Detit” të Spiro Kristo Dines faqe 255). Mbeta jetim që çilimi. Në vitin 1891 nga varfëria u largova nga Tragjasi dhe u vendosa në Vlorë së bashku me vëllanë tim.

Jetim dhe i varfër siç qesh, u detyrova që ta përballoj jetën me vështirësi të mëdha duke punuar në çfarëdolloj pune. Për herë të parë fillova të punoj në hanin e Goricës, i cili ka qenë afër fshatit Panaja. Ustanë tim e quanin Nikolla. Ishte nga katundi Bubullimë i Lushnjës. I jam shumë mirënjohës usta Nikollës se jo vetëm që më kaliti me punë, por më mësoi edhe gërmat greke. Në këtë kohë gërmat shqip ishin të ndaluara. Një ditë usta Nikolla shkoi në fshat dhe ndërmjet të tjerave më porosit që të mos e hap natën hanin për cilindo qoftë për shkak të kollëxhinjve që vinin për duhanin. Atë natë binte shi i madh. Papritur dëgjova një trokitje në portë. Unë isha duke mësuar, hodha mënjanë librin dhe mbajta vesh se kush ishte.

Ata flisnin greqisht. Unë e dija që kollëxhinjtë e kontrollit s’dinin greqisht, prandaj e hapa derën. Ishin dy veta. Njëri prift kurse tjetri dhaskal. Dhaskali ishte nga Gjirokastra, Niko e quanin. Mbasi u rehatuan, dhaskalit i vajtën sytë tek abetarja. E mori në dorë dhe pyeti: “Kush mëson me këtë abetare? -Mësoj unë,-iu përgjigja. Mbasi biseduam gjatë dhaskal Nakua më tha kështu: “Në rast se largohesh ose të ndjekin nga hani, të vish e të më takosh mua në Mitropolinë e Vlorës. Unë jam dhaskal dhe të vazhdosh mësimin me mua. Po ta kesh mësuar këtë allfavitare do të të jap një tjetër më të madhe badiava.

Nuk kaloi shumë kohë dhe unë u largova nga hani. Çdo ditë veja tek dhaskal Nakua i cili më jepte rregullisht mësim. Alfabeti grek që më mësoi usta Nikolla më vleu shumë sepse më shumë më ra në dorë “bibla e shenjtë” e Kristoforidhit në gjuhën shqip por me shkronja greke shtypur në vitin 1884. Ky libër më praktikoi të lexoja shqip.

Ibrahimi: U internova se shkrova shqip

Në vitin 1897 më internojnë në Krujë sepse i shkrova një letër shqip doktor Telhait në Dibër. Letra u censurua, më kapi xhandarmëria dhe më nisën në këmbë për në Krujë. Mbas pesë ditë udhëtim më dorëzojnë tek Rem Karanxha. Rem Karanxha më mundonte shumë me punë të rënda. Ndenja këtu më shumë se një vit. Në vitin 1902 turqit kontrollonin dhe arrestonin të gjithë ata që kishin libra shqip. Në këtë kohë unë banoja me vëllanë tim, më të madh nga unë.

Ai kishte disa bagëti dhe mua më dërgonte për të shitur qumështin. Një ditë duke kaluar rrugës për të shitur qumështin papritur në një hendek pashë një trastë mbushur me diçka. I afrohem dhe hap grykën. Ç’të shoh? Trasta ishte plot me libra. E marr dhe me të shkoj nëpër shtëpira për të shitur qumështin që më kishte mbetur. Kudo që veja me librat nuk më qasnin bile më përzinin të frikësuar. Më mbeti qumështi pa u shitur! Atëhere vendosa që ta zhduk trastën. Para se ta bëja këtë fus dorën në trastë, marr një libër dhe e fsheh në gji. Të tjerat i hedh në pusin që ndodhej në baçen e Kishës Ortodokse (Shënvllas) afër hotel Sazanit.

Libri që mora ishte “Bibla e shenjtë” e Kristoforidhit me gërma greke, të cilën e kam dhe sot. Ky libër në faqen e parë ka alfabetin shqip, i cili më ndihmoi më mirë të mësoj shkrim e këndim. Në vitin 1903 punoja si postier. Shpija e bija letrat e ushtarëve të Vlorës që ishin në qytetin Strugë dhe Ohër. Më vonë punoj si nallban. Kjo punë nuk më pëlqente fare. Eshtë koha kur njihem me një rrobaqepës nga Berati. Kiçi Todori e quanin. Ky ishte shqiptar-siç thonin patriotët atëherë. Një ditë Kici më pyeti:-Çfarë je ti? -Turk iu përgjigja.-Po pse nuk flet turqisht? -Nuk di.-Atëhere s’je turk, por je shqiptar! Unë aq dija atëhere, nga padituria dhe sundimi i huaj më kishin zënë sytë cipë. Por usta Kici më foli shumë, më zbuti dhe unë u miqësova me të. Me që puna si nallban nuk më pëlqente iu luta usta Kicit të më merrte për të punuar në dyqanin e tij. Ai më tha mirë, po më përpara do të merrem vesh me ortakun tim, Pilo Gumenin nga Narta.

Kur mori vesh Pilua që unë isha turk (mysliman) nuk pranoi, por usta Kici e bindi atë, ranë në ujdi dhe unë fillova punën për të mësuar zanatin e rrobaqepësisë. Unë punoja pa hile, tamam si për vehte, por edhe usta Kici me ortakun e tij më ndihmuan. Bashkë me mua punonte dhe një shoku im, por ai shkoi në Janinë më vonë. Në vitin 1904 vajta dhe unë në Janinë. Atje takova Qazimin, shokun tim të rrobaqepësisë, i cili më ndihmoi për të gjetur punë. Në Janinë punova tek Panajot Prasua nga Gjirokastra, deri në fund të vitit 1905. Nga Janina shkova në Athinë. Aty për të gjetur punë kollaj ndërrova emrin. Tani më quanin “Petro”. Fillova punën si rrobaqepës. E pata keq punën në fillim me emrin “Petro” sepse kur më thërrisnin unë nuk u përgjigjesha nga që harroja që kisha ndërruar emrin. -Vre si kufos ise (ore shurdh je) më thonin. Punova në Athinë deri në vitin 1907.

Në Stamboll për çështjen kombëtare

Po këtë vit shkoj në Stamboll. Atje takova shumë shqiptarë nga Vlora, Korça dhe Gjirokastra që vazhdonin studimet në universitet. Të gjithë më pritën mirë, më afruan bile më gjetën edhe punë si rrobaqepës. Shoqërimi me studentët që përmenda më lart më ndihmoi shumë për ngritjen time në përgjithësi. Ndërsa vazhdoja punën me zell e gëzim nga njëra anë, nga ana tjetër, krah për krah me studentët fillova të punoj për çështje kombëtare. Kohët e lira pas pune, mbas darke ose ditët e kremte, unë rija me ta.

Më 10 korrik 1908 u shpall liria në Turqi. Gëzimi për ne ishte shumë i madh sepse u la i lirë shtypi. Nuk vonoi më shumë se një javë dhe në Stamboll erdhën gazetat shqipe si “Kombi” nga Amerika që e nxirrte Sotir Peci, “Dielli” nga Amerika që e nxirrte Kristo Floqi, “Shqypnia e Shqypnisë” nga Sofia që e nxirrte Josif Bageri, “Rufeja” nga Egjypti e Juan Vruhos, “Besa” nga Stambolli që e nxirrte Shahin Kolonja, “Bashkimi” nga Stambolli i Sh. Tepelenës dhe “Liria” nga Selaniku i Lumo Skëndos.

Nga viti 1908 fillova të shkruaj nëpër gazeta të ndryshme shqipe që u përmendën më lart. Në vitin 1909 kthehem në Vlorë dhe hap një dyqan rrobaqepësie. Në një kënd të dyqanit mbaja dhe libra. Tek unë kanë mësuar zanatin e rrobaqepësisë disa veta psh. Thoma Mici nga Fieri, i cili jo vetëm që doli rrobaqepës por përfitoi shumë dhe nga librat që përmenda më lart.

Po kështu dhe Rexhep Serpi, Fuat Çobo, Shefqet Veshi, Lame Shyti etj. Dyqani im u bë si klub. Këtu vinin patriotë nga qytete të ndryshme. Në këtë kohë bëja punën e korrespondentit, sepse edhe për mua që s’kisha shkollë të madhe kishte shumë nevojë. Pra fillova të shrkuaj për gazetat e ndryshme shqipe që dilnin në atë kohë jashtë shtetit. Në shkrimet e mia vija në dukje gjendjen e vendit duke përdorur herë pseudonimin “Brahim Vlora” herë “Ujku plak” dhe herë “Topi i Vlorës”.

Në këtë kohë për shkak të punës dhe kontributin që jepja hyrja dhe dilja lirisht në klubin “Labëria” (sepse isha dhe anëtar i tij). Një ditë në klub gjej të sëmurë, Koço Kotën nga Korça, i cili ishte pa njeri. E pashë të nevojshme dhe e ndihmova (po e fërkoja me vaj e piper). Në këtë kohë erdhi Marigo Posio. Kështu u njoha me Marigonë dhe që nga kjo ditë fillova të veja gjithnjë në shtëpinë e saj, në shtëpinë që qe shndërruar në një çerdhe patriotësh. Në vitin 1910 xhon turqit me turkomanët në Stamboll hapën klubin “Manfel”. Me anën e këtij klubi ata mashtruan 14 deputetë fanatikë shqiptarë me në krye Arif Ikmetin (Disa nga këta nuk dinin as shqip).

Këta fanatikë, gjoja i bënë lutje zadrazemit që të ndalonte gërmat latine të gjuhës shqipe dhe këto të zëvendsoheshin me gërma arabishte. Lidhur me ketë ngjarje një ditë Haxhi Muhameti, fanatik injorant dhe pasanik me influencë të madhe, më tha:-Si të duket çështja e abetares me gërma arabisht? -Për cilat abetare pyet-i thashë, për ato që i dogjën beratasit në mes të pazarit? Përgjigja ime s’i pëlqeu fare dhe me qënë se s’kishte haber për këtë ngjarje filloi grindjen me hoxhallarët që e shoqëronin, të cilët nuk i kishin treguar për djegjen e abetareve në Berat. Me mua u zemërua keq dhe priste që të hakmerrej. Pas ca ditësh më provokon kështu: -Pse e shkrove tabelën e dyqanit “Qepës”, dhe jo “Terezi”?

Unë i thashë. –Me ç’gjuhë po më flet? –Shqip–më tha ai. –Edhe unë shqip e shkrova tabelën e dyqanit i thashë. Haxhi Muhameti i zemëruar më keq këtë radhë ma futi me një pëllëmbë të mirë, por të dytën nuk e arriti dot se unë ua mbatha këmbëve! Atë e shoqëronin tre hoxhallarë dhe dy burra të tjerë, kurse unë isha i shoqëruar me dy studentë, Nazif Sulon dhe Sali Nivicën. Për këtë gjë Haxhi Muhametin e padita në gjyq. E fitova gjyqin vetëm në sajë të dy studentëve që më shoqëronin, sepse hoxhallarët që e shoqëronin Haxhiun u betuan në të rremë.

Ushtarë në Janinë

Në fillim të shtatorit 1912 mbylla dyqanin se vajta ushtar në Janinë (Në pesë puset e Janinës). Aty nga fundi i muajit nëntor, grekërit na vunë përprara dhe ne u grumbulluam në fushë të Janinës, në rrëzë të kodrinës që ish fortesa e Bezhanit. Në muajin dhjetor na vijnë letra nga Vlora. Njoftohemi me anë të këtyre se në Vlorë u ngrit flamuri, Shqipëria u bë dhe s’kishte pse të luftonim. Ne nuk e besonim se në Janinë bëhej akoma luftë e madhe. Nga fundi i dhjetorit na vjen Mitat Frashëri i cili na mban një fjalim.

Ndërmjet të tjerave na tha që të mos e dezertonim. Gjendja jonë ishte shumë e keqe, vuanim edhe për bukën e gojës, prandaj iu afrova z. Mit’hat dhe duke i treguar trastën me lëndë përralle të ziera dhe pak thërrime buke misri të pashoshur, i thashë se në të tilla kushte është shumë e vështirë të luftosh. Taborit që isha dhe unë, që përbëhej nga 1200 vetë, iu premtuan shumë gjëra nga z. Mit’hat por asgjë nuk u realizua. Kështu të lënë në harresë në janar të vitit 1913 arratisemi (d.m.th. kthehemi në atdhe). Kalojmë jo rrugës, por mal më mal në këmbë. Mbasi kaluam lumin e Kardhiqit shpërndahemi se kështu e kishim më lehtë. Unë kaloj nga Golemi, Kuçi, Drashovica dhe mbërrij në Vlorë më 15 janar 1913.

Takimi me Marigo Pozion

Sapo u ktheva në Vlorë shkoj e takoi Marigo Posion, patrioten e asaj kohe, e cila treti gjithë ç’kishte për atdhe. Ajo ishte edhe grua, se i kishte lezet fjala që nxirrte nga goja, edhe burrë, se ish trime dhe punëtore. Posa më pa Marigoja më tha: -E prure kokën? Po Janinën ku e le? Eshtë për t’u habitur me këtë grua! Të bënë të mendosh për fanatizmën e kësaj gruaje për vatan në atë kohë, e jo për fen e Krishtit. Hapa dyqanin përsëri dhe fillova një jetë plot me halle. Në këtë kohë isha i fejuar dhe në gusht 1914 u martova. Ndërkaq vazhdoja punën dhe mbaja lidhje me atdhetarët jashtë atdheut. Për këto kam dokumenta që i ruaj në arshivën time. Në shtëpinë time gjatë kësaj kohe strehoja shumë patriotë të cilët kishin ardhur ose të internuar ose për të punuar për vatanin në Vlorë psh.

Thanas Mborjen së bashku me të shoqen nga Korça, Çile Vreton nga Përmeti, Haki Glina që ra dëshmor në Durrës në vitin 1914, Dhori Koti nga Korça, Mihal Xoxe nga Korça, Thoma Dishnica së bashku me nënën e tij, Thoma Papapano së bashku me nënën dhe babanë e tij, Milo Duci, Kostë Çekrezi, Jani Kremo, Thoma Mici nga Fieri etj. Shtëpia ime ishte bërë si kazermë ushtari. Me disa nga këta kam dhe fotografi. Banorët e Lagjes, të shtytur nga fanatizma e quanin të parregullt këtë gjë, prandaj u ankuan në polici për strehimin e patriotëve nga ana ime. Në shtator të vitit 1914 erdhën tradhtisht rebelët në Vlorë. Të gjithë mysafirët e mi u arratisën në Itali. Në këtë kohë Shero Emini nga Smokthina, ish komisar i policisë rebele më burgosi me që kisha strehuar patriotët e lart përmendur.

Por me ndërmjetësinë e një miku mbas një jave më liroi. Mbasi u lirova, me që prapë isha në rrezik nga rrebelët, së bashku me gruan u largova nga Vlora. Ndenja ca kohë në Dukat e Llogora. Më vonë kthehem prap në Vlorë me halle dhe frikë se filloi lufta e parë botnore dhe Vlorën e kishte okupuar Italia në jug, Franca në lindje dhe Austria në veri. Në vitin 1918 në Durrës formohet një qeveri kukull me në krye Turhan Pashën, me një fjalë Shqipëria ishte në rrezik. Në muajin maj të vitit 1920 rregullova me anë të një ushtari italian dy arka me fishekë lufte për t’ia dorëzuar Komitetit të Luftës së Vlorës. Këto i dorëzova me anë të Murat Muços (në arkivën time posedoj deklaratën e dorëzimit të fishekëve).

Internimi në Sazan në 1920

Në muajin maj të vitit 1920 rregullova me anë të një ushtari Italian dy arka me fishekë lufte për t’ia dorëzuar komitetit të luftës. Këto i dorëzova me anë të Murat Muços (në arkivën time posedoj deklaratën e dorëzimit të fishekëve). Më 20 maj 1920 për shkak të dy arkave me fishekë më arrestojnë dhe më burgosin në fund të një gjemie të vjetër në det. Atje prunë dhe të tjerë. Më 6 qershor 1920 më internojnë në ishullin Sazan. Ishim 1800 vetë pleq, qorra, sakatë dhe pak të rinj. Rrugës vuajtëm shumë. Në Sazan na torturonin dhe ofendonin. Një ditë një nga ushtarët italianë që qe kthyer nga fronti (Lufta e Vlorës) kur pa një shokun e tij (karabinier Italian në Sazan) që rrinte me të internuarit i tha: “Mos rri kot këtu. Po deshe shko atje”, dhe i tregon Vlorës. Në Sazan na vdiq një shok nga uria e torturat. E quanin Brahim Mullënja. Ishte nga lagjia Vrenës e Vlorës. Më 28 gusht 1920 u liruam. I harruam vuajtjet nga gëzimi që italianët e thyen zverkun.

Në Vlorë ishin bërë zbukurime me harqe të gjelbërta. Kjo punë u organizua nga Don Marku, Marigo Posio dhe inxhinier Paftali nga Durrësi. Kishin ardhur nga të katër anët e vendit mbi 20 000 vetë për të festuar ditën e shenjtë të 3 shtatorit 1920. Kishte aq shumë njerëz sa s’kishte ku të hidhje mollën. Fillova prapë punën. Edhe këtë rradhë plot halle, por i gëzuar që shpëtuam nga skllavëria italiane. Librarinë që e kisha hapur qysh në vitin 1912 e përmirësova dhe e pasurova edhe me tekste, zyrash e shkollore dhe më 1921 heq dorë nga rrobaqepësia nën maskën e së cilës punova kaq vjet me radhë për të grumbulluar libra, revista e gazeta të ndryshme nga patriotë brenda dhe jashtë atdheut. Me anën e këtyre atdhetarëve, përhapës të së vërtetës, të dritës në vendin tonë unë u lidha ngushtë me shpërndarjen e shtypit.