Ndërron jetë në spital 67-vjeçari nga Tirana, shkon në 18 numri i viktimave me COVID! 29 raste të reja të infektuarish

Shkon në 18 numri i viktimave me koronavirus në Shqipëri.

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 67-vjeçar nga Tirana i shtruar prej 13 ditësh në spitalin Infektiv, prej 6 ditësh i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv.

Ndërkohë 29 raste të reja me COVID-19 janë identifikuar nga 216 persona të testuar në 24 orët e fundit në Shqipëri.

Deri në këto momente janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Gjatë 24 orëve të fundit janë 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë.

Në shërbimin Infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë                               157 raste
– Durrës                               33 raste
– Lushnje                              5 raste
– Elbasan                              9 raste
– Fier                                   25 raste
– Kavajë                               8 raste
– Rrogozhinë                        4 raste
– Korçë                                16 raste
– Vlorë                                  5 raste
– Shkodër                            31 raste
– Lezhë                               14 raste
– Berat                                 1 rast
– Has                                    9 raste
– Krujë                                  5 raste
-Tropojë                               4 raste
– Pukë                                  4 raste
– Mirditë                               3 raste

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, tha Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.