Shqipëria në karantinë, bllokohen në Kakavijë 25 emigrantë

Shqiptarët që vijnë nga Greqia në atdhe vijojnë që të jenë një problem për autoritetet, pasi duke qenë se nuk pajisjen me autorizim nga konsullata për shkak të situatës nga koronavirusi dogana jonë në Kapshticë dhe Kakavijë i ka bllokuar duke mos i lejuar që të futen.

Sot në Kakavijë nuk u lejuan që të futen 25 emigrantë mes tyre gra dhe fëmijë. Kryeinspektori Shkëlqim Hajdari tha se nëse emigrantët nuk do kenë leje nga konsullata s’do lejohet që të futen në Shqipëri.

Hajdari nga Kakavija tha se shqiptarët do të lejohen të kalojnë vetëm pasi të kryhen të gjitha procedurat përkatëse.

“Është kontaktuar konsullata jonë në Janinë dhe çdo shtetas shqiptar që po vjen në kufi duhet të ketë një dokumentacion nga konsullata për tu futur në Shqipëri.

Ata që janë në një fshat të largët të Greqisë të rrinë atje derisa të mbarojë kjo luftë. Asnjë qytetar që ka mbërritur deri këtu s’do trajtohet për t’u urdhëruar por do kryen të gjitha procedurat”, tha Shkëlqim Hajdari.

“Këta tallen, jo tani, jo pastaj, çfarë jemi ne, jemi emigrantë të rregullt ose të na lënë të kalojmë ose të kthehemi. Se po rrimë 24 orë këtu në mes të shiut, ngrimë nga i ftohti”, tha një emigrant. E njëjta panoramë është edhe në Kapshticë.

Sot pala shqiptare ka lejuar të hyjnë nga kjo pikë doganore nga Greqia vetëm ata që kanë pasur autorizime nga ministria jone e jashtme (studentë dhe qytetarë me probleme shëndetësore) ndërsa mbi 30 të tjerë kanë mbetur të bllokuar në token neutrale me shpresë për të hyrë në tokën shqiptare.

Ata janë duke qëndruar prej orëve të para të mëngjesit ndërkohë që qëndrimi bëhet edhe më i vështirë për shkak të temperaturave të ulta por edhe pranisë së reshjeve të shiut edhe të dëborës.

Arsyeja përse nuk mund të hyjnë është sepse ata nuk janë të pajisur me leje përkatëse apo dokumentacionin nga konsullata. I njëjti problem edhe edhe ditën e djeshme, por në në Kakavijë në mbrëmje një grup u lejua që të hynin në atdhe, ndërsa në Kapshticë vetëm paradite u lejua hyrje.

Athina zyrtare ka mbyllur kufijtë në hyrje, por jo në dalje. Ambasada greke në Tiranë njoftoi dje se shqiptarët që duan të kthehen nuk do të pengohen, ndërsa ata që duan të qëndrojnë dhe u kalon afati 90 ditor i qëndrimit nuk do të gjobiten