TV gjerman promovon Sarandën dhe Shqipërinë: Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës!

Programi i “Mare TV” këtë herë iu kushtua bregdetit shqiptar.

“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”, ka arritur kuota rekord të këtij programi në raport me shikueshmërinë, në kuotën e 9.2 % të totalit të ndjekësve të ekraneve gjermane.

“Mare Tv” është një institucion në formimin e opinionit turistik gjerman në televizionin NDR, Televizioni Publik Gjerman për Veriun, i ndjekur kudo në Gjermani, në Austri e Zvicër.

Në kushtet e pandemisë globale, ky program është një marketim i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, për efektet e pritshme pas lirimit të masave dhe rifillimit të udhëtimeve.

Producenti lokal, gazetari Nolian Lole dhe kolegu gjerman Steffen Schneider e treguan Shqipërinë, pikërisht bregdetin jonian nëpërmjet njerëzve që jetojnë dhe punojnë pranë detit.

Një numër i konsiderueshëm turistësh vizitojnë vendet ku kamera e “Mare TV” shkon dhe i zbulon. Pamje të mahnitshme të brigjeve joniane janë një ftesë e hapur për shikuesit për të ardhur në Shqipëri.

Falë audiencës rekord së këtij dokumentari, trupa e “Mare Tv” thotë se po planifikon një seri të dytë të dokumentimit të bregdetit shqiptar këtë herë nga Laguna e Karavastasë deri në kufi me Malin e Zi.

https://www.ndr.de/fernsehen/sendungen/mare_tv/Albaniens-Kueste-Europas-schoenes-Geheimnis,maretv1338.html