Ankth dhe pasiguri, përfaqësuesit e turizmit: Në korrik situata kthehet në normalitet

Sektori i turizmit në Shqipëri ndodhet ende në udhëkryq. Emisioni “Ilva Now” ka biseduar me përfaqësues të këtij sektori, ndërsa ata shprehën shqetësimet dhe pengesat me të cilat do përballen gjatë këtij sezoni turistik.

Kryetari i Operatorëve Turistikë të Shqipërisë, Arben Çipa, beson se në muajin korrik, situata do t’i kthehet “normalitetit” dhe pushuesit do të shijojnë plazhet e Shqipërisë.

“Një dritë jeshile duket të paktën në fillim të muajt korrik. Besojmë se në korrik do të kemi lehtësim total të hyrjes së nënshtetasve nga çdo vend dhe padyshim menaxhimi i tyre nga përfaqësuesit turistikë.

Është e vërtetë se ne mbulojmë  prurjet e huaja drejt territorit tonë. Në momentin kur ne kontaktojmë homologët tanë, ata presin të reja nga ne, dhe ne presim prej tyre. Kjo tregon se informacioni është i munguar. Brenda muajit maj do të kenë ndryshuar shumë gjera”, tha ai.

Në Vlorë situata paraqitet më optimiste. Këtë e shprehu në “Ilva Now” operatori turistik, Vasil Bedinaj. Pavarësisht frymës optimiste, ai tha se ky sektor përballet me vështirësi të shumta, ndërsa kërkoi bashkëpunim më të ngushtë mes autoriteteve qendrore dhe vendore.

“Është e vërtetë, Vlora ka dy muaj që nuk ka pasur asnjë rast. Vlora akoma nuk i ka hapur plazhet e veta, por ishte një fluks drejt Himarës , Dhërmiut dhe Qeparoit. Nuk është vetëm çelja e sezonit turistik, por ne jemi të pezulluar totalisht si biznese.

Ne si operatorë turistikë para se të hapemi, kemi shumë punë për të bërë. Ne po presim që të hapemi, dhe po na detyrojnë të fillojmë nga puna pikërisht në atë moment.

Hotelet janë të mbyllura, mos të themi se janë mbyllur që në tetorin e kaluar.

Jemi në një kaos total. Duhet të bashkëpunojmë bashkërisht me të njëjtin nivel”, tha ai.