Faqja e njohur e turizmit: Shqipëria? Thjesht fantastike

Ndërkohë që nuk është më aq e sigurt të udhëtosh në disa nga destinacionet e parapëlqyera për pushime në bregun juglindor të detit Mesdhe, njerëzit po kërkojnë një alternative të mirë dhe shumë prej tyre kanë vendosur të vizitojnë Shqipërinë dhe unë jam padyshim një përkrahëse e madhe e kësaj ideje, shkruan blogerja Kamila Napora për faqen e njohur polake të turizmit mywanderlust.pl.

Bregdeti shqiptar është spektakolar dhe plazhi i Ksamil është tashmë një perlë me famë botërore, por vendi ka shumë më tepër për të ofruar se sa nga disa vendet kryesore të Ballkanit.

Qytete të bukura prej guri, mrekulli spektakolare të natyrës, male që të lënë pa frymë dhe një kryeqytet shokues. Mund t’i shihni të gjitha nëse vendosni të vizitoni Shqipërinë!

Udhëtim vetëm nëpër Shqipëri

Herën e dytë në Shqipëri, unë kam udhëtuar vetëm. Jam ndjerë vërtet e sigurt gjatë gjithë kohës. Njerëzit ishin me të vërtetë miqësorë, mikpritës dhe të ndihmonin kur ishte e nevojshme.

Disa nga miqtë e mi kanë udhëtuar vetëm përreth Shqipërisë dhe thonë vetëm fjalë të mira në lidhje me të!

Turizmi në Shqipëri/ Çfarë të vizitosh?

Gjatë dy udhëtimeve të mia në vend, kam vizituar vendet më të mira që ofron turizmi në Shqipëri. Sinqerisht mund të them se i kam shijuar të gjitha dhe jua rekomandoj ata!

Të dyja herë kam shkuar në vjeshtë (fillimi i tetorit dhe mesi i nëntorit) dhe mund të rekomandoj patjetër këtë kohë të vitit!

Moti është akoma me të vërtetë i mirë, turmat e pushuesve verorë janë zhdukur dhe mund të gjesh lehtë strehim të lirë ose të udhëtosh mes vendeve. Vjeshta është koha për të vizituar Shqipërinë!

Gjirokastra

Ndërsa Berati quhet qyteti i 1 000 dritareve, Gjirokastra ka një titull tjetër, atë të qytetit të 1 000 shkallëve.

Vetë Gjirokastra është një qytet i bukur i gurtë, ku koha duket se ka ndalur.

Së bashku me Beratin, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

 Ksamili

Një perlë e vërtetë e bregdetit shqiptar, Ksamil konsiderohet si një nga plazhet më të bukura në Shqipëri.

Uji i bruztë, plazhi me rërë të imët dhe ishujt e afërt e bëjnë Ksamilin të duket si një parajsë.

Butrinti

Vetëm pesë kilometra larg Ksamilit, do të gjeni Butrintin, një tjetër vend i listuar në UNESCO.

Ky vendbanim i lashtë, që daton nga shekulli i VIII-të para Krishtit, është një vend me të vërtetë magjepsës, me aq shumë mbetje të së kaluarës, saqë do t’ju mbajë të zënë për disa orë.

Nëse jeni adhurues i historisë, keni për ta pëlqyer atë!

Saranda

Në fillim, mund të duket si një vend pushimi jotërheqës bregdetar, me asgjë tjetër përveç betonit, por Saranda mund të jetë shumë më interesante nga sa duket.

Nëse po kërkoni destinacionin e pushimeve gjallëruese, kjo është përgjigjja juaj shqiptare.

Syri i Kaltër

Disa minuta larg rrugës Sarandë – Gjirokastër, ky burim i virgjër është një parajsë e vërtetë, me ujëra të kthjellët blu dhe shelgje lotues për hije.

Ai është vendi  i përsosur në ditët e nxehta të verës, një përhumbje e përsosur në natyrë.