Këtë verë të pres në Pilur, fshatin e artistëve

Nga Fjorda Llukmani

E quajnë “Ballkoni i Himarës” dhe vendi ku kanë lindur artistë e hite të polifonisë shqiptare. Nga këtu shihet gjithë Himara dhe jo vetëm.

Në një ditë të pastër me diell mund të vëzhgosh qafën e Llogarasë, Majën e Çikës, plazhin e Dhërmiut, Livadhit, Potamit e Llamanit.Midis tyre vihet re Kalaja e Himarës me shtëpitë që e karakterizojnë.

Ndryshe nga ç’jam mësuar duke parë nga plazhi i Drimadhes, prej këtej ishujt e vegjël të Greqisë marrin formë tjetër.

Nëse më pyesni mua, Piluri është një nga fshatrat më frymëzues të jugut. Jo kot prej këtej janë thurur vargje e poezi të shumta.

Sot ekzistojnë dy vendbanime që më parë janë banuar në shekujt 7 dhe 8 para Krishtit, si Fortifikimi i Majave të Perëndimit në Fushën e Vumloit. Pak para se të hysh në fshat, në të majtën tuaj poshtë është Manastiri i Shën Mërisë së Thalit që është ndërtuar në 1975-ën.

Mund të shkosh në këmbë nëpërmjet një shtegu, që të njeh dhe me lagjen e vjetër ku shtrihej Piluri. Rrënoja shtëpish pranë kishës kanë qenë të banuara deri rreth viteve 1650. Emri “Pilur” u shfaq për herë të parë në 1431 si pjesë e Sopotit, që sot është Borshi.

Rruga që të çon në Pilur është shtruar prej 2 vjetësh, prandaj nga Himara shkohet për rreth 20 minuta. Kthesat e lakuara që të ngjisin në kodrën 700 metra mbi nivelin e detit, janë perfekte për t’u përshkuar nga adhuruesit e motorëve dhe biçikletave.

Thonë që piluriotët rrjedhin nga fiset Kaone të lashtësisë, pra janë vendas. Në kohën e komunizmit kur Porto Palermo ishte bazë ushtarake e nëndetëseve, nuk lejohej kalimi buzë detit. Kushdo që shkonte për Sarandë, ngjitej në Pilur dhe kalonte në rrugën e vjetër që të nxjerr në Kudhëz e pastaj në Qeparo. Po e njëjta rrugë të çon dhe në Vranisht, Kuç e fshatrat e tjera të lumit të Vlorës.

Piluri përdoret si pikë ndalese për turizmin e aventurës. Gjatë verës makina 4×4 vijnë nga Saranda e ndalojnë për të ngrënë e shijuar freskinë e fshatit. Kur shkova për herë të parë në Pilur, u njoha me Kristo Çipën, i cili është autori dhe udhëheqësi artistik i grupit polifonik “Bejkë e Bardhë”.

E njoftova më parë që do të shkoja për vizitë e si shpërblim hëngra djathë e byrek shtëpie.

Ama një qëndrim në Vilën Cipa nuk ka kuptim po nuk shijove rakinë. “Rezervimet e para do të fillonin më 4 prill.”,-më thotë Kristo.

“Në përgjithësi na vijnë turistë polakë, italianë e gjermanë. Shumica janë kalimtarë por të tjerë kalojnë dhe natën në dhomat që kemi sipër. Mendoj se sivjet do të kemi turizëm që do të zgjatet deri në nëntor për shkak të motit me diell që kemi në Shqipëri,”- shton ai në bisedën që bëjmë bashkë.

Vila Cipa ka lindur e rritur shumë ikona të kësaj familjeje. Të gjithë e njihni Lefter Çipën, të cilin kam patur nderin ta marr dhe në intervistë në shtëpinë e tij në Himarë. Ai kurrë nuk ka hequr dorë nga krijimtaria, pavarësisht moshës. Më tregonte librin e kujtimeve e histori komunistësh. Për moshën time të dëgjosh për udhëheqësit e asaj kohe prej dikujt që i njohu nga afër, është privilegj e kënaqësi. Përveç vargjeve që ka shkruar për Himarën, me memorien time e kujtoj gjithmonë Lefterin me penë dhe cigare në dorë.

Në katin e dytë të shtëpisë është vizatuar pema e familjes. Sa do të doja ta kisha dhe unë një të tillë për fisin tim! Sipas Kristos, në një prej dhomave kanë lindur vetëm djem.

“Nëse do të bëhesh me djalë, hajde një natë e ta garantoj që formulën e ke të suksesshme. Kushdo që ka lindur djem ne fisin tonë, janë ngjizur këtu. Unë një vajzë që bëra, e linda në Vlorë,”-thotë ai.

Kur ka turistë mund të jesh dhe dëshmitar i këndimit live të këngëve polifonike.

Qendra e Pilurit te rrapi shihet dhe si vendpushimi ku banorët kalojnë një pjesë të ditës. Një herë jam ulur aty aq gjatë, sa mund të kem parë pothuajse këdo që jeton në fshat.

Bashkë me Milto Gjicalin, fyelltarin e grupit “Bejkë e Bardhë”, kemi ngrënë mish të pjekur në hell. Kush kalonte ndalonte e përshëndeste Milton, me këtë rast edhe mua. Një prej reportazheve të “Edicionit Veror” është xhiruar në shtëpinë e Miltos, i cili më tregoi stanin dhe jetën e tij si bari. Delet e tij janë me fat që dëgjojnë t’i bjerë fyellit shpesh herë.

Si oaz në shkretëtirë duken pemët e lisit që rrethojnë kishën e Shën Nikollës. Zhurma e gjetheve dhe ajri i freskët është zgjidhja e një dite të nxehtë vere. Mos u largo nga Piluri pa parë kishën e pa humbur në rrugicat me kalldrëm.

Ndonjëherë më duket sikur s’e njohim vendin tonë mjaftueshëm. Prandaj uroj që turizmin e këtij viti ta përqendroni në Shqipëri. Përveç plazhit kaloni në fshatra. Duhet të njiheni patjetër me vendet që kanë frymëzuar artistë të shumtë për të shkruar këngë polifonie që habiten dhe të huajt, jo më ne.

Po e mbyll me disa vargje të Lefter Çipës që më bëjnë të njoh më shumë veten, në këtë rast rrënjët e vendit tim:

“Më ka marrë etja,

po s’kërkoj burime

Më ka zënë dehja,

brënda gotës s’ime

Më ka ardhur vdekja,

po s’pres ngushëllime

Vallë, vërtet vetja,

është vetja ime?!” (dritare.net)