Operacioni në Ksamil, ja çfarë u sekuestrua gjatë arrestimit

Dy persona janë arrestuar, mes të cilëve një punonjës i IKMT pasi akuzohet se ka marrë ryshfet prej rreth 10 milionë lekësh për të mos prishur një ndërtim në zonën e Ksamilit nga një qytetar.

Policia e Sarandës dhe Forcat Operacionale kanë shoqëruar mbrëmjen e djeshme 7 persona, mes të cilëve 5 janë punonjës të Inspektoratit Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimet pa leje në zonat e plazheve të Ksamilit.

Dy të arrestuarit janë  Altin Bogdani, 35-vjeç nga Tirana, Inspektor i verifikimeve në terren në Drejtorinë e Përgjithshme të IKMT Tiranë  dhe Vasillaq Vito, 43-vjec nga Saranda.

Bogdani akuzohet se ka marre ryshfet 5000 euro dhe 350.000 lek te reja nga shtetasit Vasillaq Vito, për të mos i prishur një pjesë të një objekti në Ksamil.

Gjatë kontrollit të ushtruar Bogdanit, ju gjeten 5000 euro, 350.000 lek, 3 celulare dhe një sasi prej 1.56 gram “cannabis sativa”.

Policia ka sekuestruar edhe një automjet të IKMT, i cili ndodhet i bllokuar në Komisariatin e policisë Sarandë.