Rama e konfirmon sërish: Plazhet këtë vit do jenë shumë më tepër publike se private

Kryeministri Edi Rama ka thënë se këtë vit do të ketë më shumë hapësirë për plazhet këtë vit dhe kjo do të sigurohet edhe për të respektuar masat ndaj COVID-19.

Rama thotë se nuk do të ketë këtë vit shezllone apo ‘salltanete të mëdha’ por plazhi do jetë modest këtë vit, me çadër, diell dhe rërën.

Po ashtu kryeministri siguroi se nuk do të ketë më njerëz që thonë se e kanë ‘tokë të xanun’ por stërgjyshërve ua mori komunizmu dhe kërkojnë lekë por qytetarët do të kenë shumë hapësirë publike për plazh.

”Plazhet këtë vit do jenë shumë më tepër publike se privat. Do jemi shumë striktë me këtë. Kjo e keqja do vijë me të mirën që do ketë shumë më tepër hapësirë pa ju dalë njëri që kjo është tokë e xanun, ronte stërgjyshi im, mbillte qepë e domate dhe kur erdhi komunizmi na i mori prandaj t’i do më japësh lekët. Do ketë më shumë hapësirë.

Aty ku ka plazhe shumë të populluara do gjejmë zgjidhje të balancuar por do favorizojmë plazhe publike dhe plazhe si dikur, pa shezllone dhe salltanetet e mëdha. Me diell, me rërë, me çadër”, tha Rama.

Kryeministri u pyet edhe për ceremonitë martesore, ku u shpreh i prerë se nuk do të lejohen.

“Çfarë të bëjmë me dasmat? Asnjë aktivitet në mjedise të mbyllura me më shumë se njerëzit e familjes nuk lejohet, nuk udhëzohet, por nuk duhet të ketë as vizita dhe as dreka e darka dhe jo më të kërcasin dasmat, për çfarë do të martohen njerëzit në këto dasma masive për të kaluar muajin e mjaltit me ventilator krah për krah njëri tjetrit?”, tha shefi i qeverisë