Banesat e vjedhura në Finiq, Lleshaj takon familjarët: Policia, e angazhuar për garantimin e sigurisë së plotë

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është ndalur këtë të dielë në mëngjes në Finiq, në shtëpinë e Vasil Kiços, 84-vjeçari, të cilit iu vodh shtëpia para disa kohësh.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thekson se karshi sigurisë së minoritetit, Policia e Shtetit është dyfish e detyruar dhe e angazhuar për siguri të plotë.

“Në Krane të Finiqit, vizitova shtëpinë e Vasil Kiços, e cila është vjedhur para disa kohësh. Me 84-vjeçarin, që jeton i vetmuar, diskutova për rastet e vjedhjeve që janë kryer në shtëpitë e këtij fshati dhe më tej”,- thekson Lleshaj.

“Indinjata ndaj këtyre akteve të ulta do të pasohet nga masa të forta të Policisë dhe të autoriteteve vendore për të zbuluar dhe vënë përpara përgjegjësisë së ligjit dhe përpara përbuzjes shoqërore ata individë që, në mungesë të çdo morali, cenojnë shtëpi të moshuarish të vetmuar, duke e tronditur rëndë pleqërinë e tyre”,- vijoi Lleshaj.

“Përballë sigurisë së minoritetit Policia e Shtetit është dyfish e detyruar dhe do të angazhohet në mënyrë të shumëfishtë për të ofruar siguri të plotë, në përmbushje të përgjegjësive të saj ligjore, por dhe në respekt të traditave me të mira shqiptare.”,- garantoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.