Sezoni turistik nga deti në mal / Surprizat e Himarës dhe Përmetit

Teksa sezoni turistik ka trokitur në derë, gjithkush ka kurizitet sesi do të zhvillohen pushimet këtë vit të mbërthyer nga pandemia globale. Emisioni “Java në RTSH” pati të ftuar të premten dy drejtues bashkish nga jugu për të treguar rreth investimeve, risive dhe kushteve në të cilat do të kalohen pushimet gjatë verës në vend.

Duke folur në studio me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli, drejtuesja e Bashkisë Përmet Alma Hoxha u shpreh se qyteti që ajo drejton është kthyer në një atraksion të vërtetë turistik.

“Ne po synojmë të ofrojmë një qasje inovatore për turizmin, ndaj u bëj thirrje të gjithëve që të vijnë në Përmet. Të vijnë jo vetëm për turizëm, por edhe të investojnë në këtë vend të mrekullueshëm që ofron gjitthcka. Që nga historia e tradita, deri tek natyra, monumentet kulturore etj. Ne aktualisht po lobojmë pranë qeverisë që rruga e Frashërit të rindërtohet. Dua t’ju kutjoj se në Frashër ndodhet muzeu, apo teqeja” – shtoi Alma Hoxha në “Java në RTSH”.

Për kreun e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, bashkia që ai drejton përfshin 22 fshatrat çka do të thotë se edhe vija bregdetare është e konsiderueshme dhe kërkon një menaxhim të madh.

Goro shtoi se ka nisur tashmë prenotimi i subjekteve hoteliere, kryesisht të shtëpive private dhe vilave.

“Prentoimet janë kryesisht për muajt korrik dhe gusht. Tashmë dihet se cilësia e shërbimit dhe çmimet e bëjnë Himarën një vend konkurrues gjatë sezonit. Së shpejti ne do të kemi edhe projektin për vijën bregdetare të Borshit që është plot 8 kilometra” – tha Goro në një lidhje direkte me “Java në RTSH”.