Vetingu i Petrit Aliaj, KPK gjen raporte mjekësore të rreme dhe pasuri të pajustifikuara

Përndryshe nga shumë seanca dëgjimore në Komsionin e Pavarur të Kualifikimit, në atë për gjyqtarin e Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj, në sallë ishin vetëm trupa gjykuese, vëzhguesi ndërkombëtar, punonjës të KPK-së dhe garda.

Trupa e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshi, vendosi se pavarësisht shtyrjeve të herëpasherëshme dhe mundësisë për të pasur avokat, Aliaj nuk ishte i pranishëm dhe seanca do të zhvillohej në mungesë.

Kryesuesja e trupës Etleda Çiftja lexoi veç rregullores një raport i cili vinte në dukje se gjyqtari i Apelit të Vlorës kishte paraqitur një sërë raportesh mjekësore duke pretenduar pamundësi për të marrë pjesë në seancë.

Çiftja tha se me kërkesë të KPK-së këto raporte u hetuan nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Gjykata e Apelit Vlorë, vendi i punës i Aliajt, ishte përgjigjur duke referuar se në të njëjtat ditë kur Aliaj pretendonte pamundësi shëndetësore ai ishte paraqitur në punë, kishte zhvilluar gjyqe si anëtar i trupës dhe si relator.

Më tej Pine lexoi një raport kryesisht negativ për gjyqtarin mbi kriterin e pasurisë. Raporti nuk përmblodhi sa ishin në total pasuritë e dyshuara të pajustifikuara, por duke iu referuar shumave që relatorja vuri në dukje, pasuria e pajustifikuar me burime është rreth 19.4 milion lekë.

Pine po ashtu tha se gjyqtarit i ishte kaluar barra e provës për shuma të tjera dhe një pallat 7 katësh në emër të babait, por që dyshohej si pasuri e fshehur e tij.

Pine tha se përmes e-mailit Aliaj kishte paraqitur kundërshtimet dhe se ato do të merreshin në konsideratë.

Petrit Aliaj e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtar në Delvinë dhe në Sarandë. Në vitin 2004, Aliaj u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin “për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.

Pavarësisht trajektores së ndërlikuar të karrierës së tij, Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës. Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme.

Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij. Aliaj ka deklaruar se kishte punuar si avokat për kompanitë e vëllezërve Balili në Delvinë. Ai po ashtu ishte pjesë e trupit gjykues që lehtësoi dënimin ndaj Dritan Dajtit, nga burg përjetë në 25 vjet.

Ndaj Aliajt dhe dy kolegëve të tij u ndërmorën kontrolle në shtëpi, ndërsa u nis pas kësaj një hetim nga prokuroria. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit e dërgoi në fillim të janarit dosjen në gjykatë për ta pushuar, por ajo u kthye pas nga gjykata për hetime të mëtejshme.

Seanca në mungesë

Relatorja vuri në dukje se Aliajt i ishin dhënë mundësitë të sillte avokat dhe po ashtu kishte pasur kohë shtesë për të sjellë dokumente, por ndërsa i ka dërguar KPK-së dokumente shtesë në 2 qershor të cilat janë marrë nga trupa, Aliaj ka kërkuar shtyrje të seancës për një datë tjetër me pretendimin se i duhej për të siguruar dokumente nga Greqia dhe hapje të hetimit për dy kriteret e tjera.

Relatorja Xhesila Pine vuri në dukje se dokumenet ishin marrë në shqyrtim nga KPK, por kërkesa për shtyrje ishte rrëzuar, ndërsa për kërkesën tjetër ishte vënë në dijeni Aliaj se kjo mund të shqyrtohej nga trupa në varësi të seancës dëgjimore dhe provave që ai do sillte në të.

Aliaj megjithatë të premten nuk u paraqit në seancë, ndërsa KPK tha se kishte marrë një raport tjetër mjeko-ligjorë prej tij. Ky ishte raporti i katërt që KPK merrte nga Aliaj, ndërsa më herët ishin shtyrë dy seanca po për shkak të problemeve shëndetësore të gjyqtarit.

Por Komisioni që pati kërkuar, para pezullimit të punës për shkak të pandemisë hetim mbi raportet, tha se Këshilli i Lartë Gjyqësorë dhe Gjykata e Apelit Vlorë kishin sjellë informacion se ndërsa pretendonte se ishte i sëmurë Aliaj në fakt ishte paraqitur në gjykatë dhe ka marrë pjesë në gjyqe si anëtar trupe dhe relator.

Bazuar mbi këtë rast Komisioni vendosi të vazhdonte procesin pa pritur praninë e gjyqtarit, ndërsa vuri në dukje se atij i ishin dhënë mundësitë të ishte i pranishëm ose të mbrohej me avokat.

Truall në Delvinë e Sarandë

Relatoja Pine vuri në dukje se Aliaj ishte hetuar vetëm sa i përket kriterit të pasurisë. Në raportin që u lexua u vunë në dukje probleme me këtë pasuri që prej viteve 1995, kur Aliaj punonte si ndihmës gjyqtar në Delvinë.

Pine tha se Aliaj kishte marrë në këtë kohë një pronë 400 metra, por edhe pse e blerë përmes një procesi në dukje të rregullt prona nuk ishte rregjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive, por regjistrimi ishte bërë përmes një vendimi gjyqësor.

Subjekti sipas relatores kishte pretenduar se ZVRPP kishte refuzuar ta regjistronte pronën, por Komisioni tha se veprimet ngrinin dyshime për konflikt interesi. Kjo pasuri sipas relatores ishte shitur më pas për 2.7 milion lekë, por kjo shumë nuk ishte deklaruar në deklaratën e interesave private në vitin 2003 dhe as si gjendje cash.

Pine tha se i kishte kaluar barrën e provës Aliajt për këtë pasuri, mbi mosdeklrimin e cash-it, mospasjen e dokumenteve të pronësisë mbi truallin, vendimin e gjyqit që e bënte pronar e të tjera. Ajo tha se kundërshtimet e Aliajt do të analizoheshin.

Aliaj sipas KPK kishte blerë në vitin 1998, 200 metra truall në Sarandë, për shumën 600 mijë lekë. Por nga hetimi i KPK procesi i përfitimit të pronësisë edhe në këtë rast kalon përmes një vendimi gjyqësor.

Nga relatimi u kuptua se Aliaj kishte blerë pronën me firmën e vetëm njërit prej bashkëpronarëve. Ndërkohë po aty thuhet se bashkëpronari tjetër mbi të njëjtën pronë kishte kërkuar kthim e saj nga Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.

KPK thotë se nga dokumentet rezulton që Aliaj ka qenë trup gjykues në një vendim që i mundësonte këtij pronari që të rivendoste në afat këtë padi. Komisioni tha se kishte dyshime për konflikt interesi dhe se Aliajt i ishte kaluar barrë prove edhe mbi këtë çështje.

Ndërkohë si burim për këtë pasuri ishte deklaruar një hua nga vëllai për 600 mijë lekë – e deklaruar me deklaratë noteriale më vonë në vitin 2016 si e marrë pa interes. KPK vuri në dukje se kishte kërkuar për dokumente që provonin ligjshmërin e burimit për të vëllain dhe se nuk i kishte marrë, ndërsa u theksua se Aliaj kishte disa mos deklarime mbi këtë pronë, përfshirë edhe këtë borxh që ishte deklaruar vetëm disa vite më vonë.

Investimet dhe bilanci negativ

Komisioni tha se nga hetimet kishte rezultuar se një investim për një ndërtesë me 1 kat nëntokë dhe tre kate për një vlerë 10 milion lekë rezultonte i pajustifikuar në fund për shumën 7.4 milion lekë.

Relatorja shpjegoi një sërë lëvizjesh financiare të bëra për godinën, përfshi ortakërinë e gjyqtarit me të vëllain dhe motrën në ndërtim dhe më pas faktin që të dy ia kishin falur atij pjesën e tyre.

Po ashtu KPK vuri në dukje se pretendimi se për këtë pasuri ishin përdorur 2.7 milion lekë të marra nga shitja e shtëpisë dhe truallit në Delvinë ishte kontradiktore. KPK vuri në dukje se të njëjtat të ardhura pretendohej se ishin përdorur për të blerë bono thesari. Relatoja vuri në dukje se kishte një sërë mosdeklarimesh, përfshi të huave të pretenduara të marra dhe mungesë dokumentacioni për të ardhurat që kishin shërbyer për ndërtimin.

Po ashtu Komisioni vuri në dukje se nuk kishte prova për një hua të marrë për këtë investim. Komisioni tha se Aliaj kishte pretenduar se për të shlyer huan kishte përdorur 48 mijë USD  të marrë nga puna si konsulent për vëllezërit Balili (Lexo këtu: Gjyqtari i Apelit, 47 mijë USD pagesë për konsulencë ligjore nga vëllezërit Balili).  Por KPK theksoi se nuk kishte asnjë të dhënë se kjo shumë ishte përfituar dhe as që për të ishin paguar detyrimet tatimore dhe kjo shumë nuk ishte deklaruar në vitet përkatëse si gjendje cash.

Nga relatimi u kuptua se për një sërë huash nuk ishin sjellë dokumente justifikuese. Një hua pa interes nga babai që i kishte huazuar paratë pa interes nga xhaxhai i gjyqtarit, po ashtu u vu në pikëpyetje për mungesë të burimeve të huadhënësve.

Sipas relatores në vitin 2006, Aliaj ishte në pamundësi financiare për 6 milion lekë. Relatorja tha se nuk ishin gjetur prova për të ardhura të pretenduara, ndërsa shtoi se pretendimet e Aliajt se kishte marrë pagat si gjyqtar pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatë së Lartë për ta rikthyer në punë nuk rezultonin të sakta. Sipas Pines “Gjykata e Lartë nuk kishte disponuar për pagat”.

Pine lexoi se ishte gjetur nga hetimi që Aliaj nuk kishte bërë deklarime korrekte në vite të këtyre lëvizjeve. Po ashtu u gjet se pretendimi, se bonot e thesarit në vlerë 3 milion lekë ishin financuar nga shitja e pronës në Delvinë dhe të ardhurat e bashkëshortes, nuk provoheshin me dokumente. KPK tha se në këtë pikë rezultonte një bilanc negativ 4.1 milion lekë për vitin përkatës.

Probleme KPK gjeti me të ardhurat e deklaruara të bashkëshortes, që sipas Komisionit ishin më shumë se sa sasia për të cilën kishte dokumente dhe ishin paguar tatimet. Komisioni po ashtu doli në përfundimin se bashkëshortja nuk kishte pasur mundësi të krijonte disa depozita bankare dhe kursime cash, duke nxjerrë një bilanc negativ prej 2.2 milion lekësh në vitet 2010, 2011.

Një blerje prone nga bashkëshortja e gjyqtarit u cilësua po ashtu e dyshimtë. KPK tha se ishte gjetur që shitësit e kishin blerë pronën 790 mijë lekë dhe ia kishin shitur pas katër ditësh bashkëshortes së gjyqtarit për 50 mijë lekë.

KPK gjeti të pajustifikuara me dokumente dhe as me burim të ligjshëm disa hua të marra për shkollimin e vajzës në SHBA dhe po ashtu një shumë prej 50 mijë USD  të ardhura në llogari të djalit në vitin 2008.

Një makinë e blerë nga i biri 7 mijë euro po ashtu u gjet e pambuluar financiarisht. Komisioni vuri në dukje se pretendimi se paratë ishin siguruar në emigracion u rrëzua, pasi u gjet në sistem se ai kishte vizituar Greqinë vetëm për pak ditë. Një makinë tjetër e blerë më vonë u gjet se nuk ishte deklaruar në vitin e blerejes dhe se nuk kishte justifikim financiar.

KPK tha se disa prej huadhënësve ishin të përhershëm dhe i kishin dhënë gjyqtarit para disa herë, por ato nuk provonin burimin.  Për një prej tyre, prejtë cilit ishte marr një shumë prej 35 mijë dollarësh, gjyqtari sipas Komisionit kishte sjellë si provë punën e bashkëshortes së huadhënësit si mësuese. Në një rast për një huadhënës nga i cili ishin marrë 25 mijë USD u pretendua se provoheshin nga puna në një bar-kafe, por që sipas KPK kishte të ardhura që nuk e justifikonin huanë.

Nga një denoncim publik KPK vuri në dukje se ishin ngritur dyshime mbi pronësinë e një pallati 7 katësh në Sarandë në emër të babait të gjyqtarit. Komisioni tha se nga hetimi babai dhe vëllai i gjyqtarit nuk kishin burime të ligjshme për këtë ndërtesë.

KPK vuri në dukje se Aliajt i ishte kaluar barra e provës për të gjitha gjetjet dhe se ai ishte përgjigjur duke sjellë dokumentacion dhe argumente që do të merreshin parasysh, para marrjes së vendimit. Komisioni tha se do të njoftojë vendimin më 9 qershor ora 13.00./BIRN/