Vijojnë punimet me ritme të larta për ujësjellësin e Delvinës, përfitojnë 9 800 banorë

Në bashkinë e Delvinës po vijojnë me intensitet punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri, i cili do tu sigurojë furnizimin me ujë pa ndërprerje banorëve të kësaj bashkie.

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe e Menaxhimit të Mbetjeve (AKUM) bën të ditur se investimi synon të garantojë 24 orë ujë e me cilësi për 9 800 banorë, si dhe modernizimin e sistemeve të ujësjellësit.

Punimet përfshijnë investimin në burimin kryesor të furnizimit me ujë, në Vriz, vendosjen e sistemit SCADA, po ashtu do të vendoset një rrjet i ri shpërndarjeje prej 11,4 km, do të kryhet lidhja me rrjetin e ujësjellësit për 1900 familje si dhe do të vendosen 1 mijë ujëmatësa, vendosja e linjës kryesore të pompimit prej 1,6 km, si dhe rezervuari i ri prej 900 m3.

“Investimi parashikohet të përmbyllet në nëntor 2020, në kuadër të Programit Infrastruktura Bashkiake IV, financim i Qeverisë gjermane / KfW Qeverisë zvicerane /SECO dhe Qeverisë shqiptare”, bën të ditur AKUM.

Ujë i sigurt dhe i përballueshëm për të gjithë, mbledhje dhe përpunim i ujërave të ndotura, për një mjedis të pastër, rritje e efikasitetit operativ të shoqërive të ujësjellësit, zhvillim kapacitetesh për furnizim efikas dhe me kosto efektive të ujit dhe shërbimeve të kanalizimeve, forcimi i rregullave të sektorit të ujësjellësit, është objektivi i qeverisë shqiptare në këtë sektor.