Bypass-i i Vlorës dhe tuneli i Kardhiqit mbyllen brenda verës 2021

Bypass-i i Vlorës dhe tuneli i Kardhiqit pritet të mbyllen brenda verës së ardhshme, ashtu sikundër edhe punimet e rrugës së Arbrit.

Ministrja e Energjetikës dhe e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë televizive, pasditen e së martës theksoi se, projektet infrastrukturore të qeverisë vijojnë pa ndërprerje dhe të gjitha projektet e nisura do mbyllen në kohë.

Ministrja Balluku ka deklaruar se ndërtuesit e Rrugës së Arbrit kanë premtuar se, edhe pse projekti ka afat deri në nëntor të 2021, rruga do të jetë gati në pranverë.

“Në mandatin e parë PS-ja dhe qeveria është munduar që të bëjnë rregullat e shtetit. Në mandatin e parë janë bërë reforma shtetformuese dhe shtetekzistuese.

Në mandatin e dytë po bëhen punë infrastrukturore që do t’i mbeten vendit për dekada me radhë. Në bërjen e rrugëve ne i bazohemi metodave të fizibilitetit, në mënyrë që të kenë dhe ndikim në ekonominë e vendit”, – tha Balluku.

“Duke qenë se Saranda ka qenë dhe pjesa më e zhvilluar turistike deri në Himarë, tashmë ka filluar të zhvillohet edhe zona turistike në Palasë dhe në Llogora.

Turizmi ka nisur në Sarandë, Delvinë etj., ku janë dhe investimet më të mëdha energjetike dhe sot po punojmë për të rritur kapacitetet në pjesën tjetër.

Infrastruktura rrugore është më e zhvilluar në Sarandë dhe në Delvinë dhe Kardhiq, pasi kemi 8 lote dhe kemi edhe një pjesë boshe ku do të jetë tuneli”, – shtoi ajo.