Fluks në bregdetin e Ksamilit, pushuesit: Nga virusi nuk kemi frikë

Plazhi i Ksamilit këtë fundjavë është populluar nga pushues të qyteteve të ndryshme të vendit.

Siç duket dhe nga pamjet si në rërë ashtu dhe në ujë pushuesit qëndrojnë të grupuar.

Ata i njohin masat mbrojtëse, por justifikohen me faktin që në Ksamil s’ka përhapje të virusit.

“Të frikësuar nuk jemi. Ksamili ka pasur shansin e mirë sepse nuk ka pasur asnjë të prekur”, shprehet një pushuese.

Të njëjtën reagim ka edhe një tjetër qytetare e cila ka zgjedhur Ksamilin për të pushuar.

“Nga virusi nuk kemi frikë. Në plazh jemi ekspozuar, por duhet të ruajmë distancën”, shprehet ajo.

Edhe në Vlorë është e njëjta panoramë. Në plazh COVID-19 harrohet lehtë. Gjatë bisedës me disa turistë, ata nuk e fshehin frikën nga virusi.

“Frikë edhe kemi, por nuk bashkohemi me të tjerë. Qëndrojmë larg, vetëm me familjen”, tregon një pushues.

Ndërkaq dhe në Durrës pamë nga afër që nuk ruhej distance. Edhe shezllonët duken më afër se 3 metra nga njëri-tjetri.