Gent Ibrahimi takim me drejtuesit e prokurorisë Sarandë, ja çfarë u diskutua

Në vazhdën e takimeve me stafet e prokurorive të rretheve gjyqësore në vend, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka zhvilluar takimin e radhës me drejtuesit e prokurorive të rrethit Gjirokastër dhe Sarandë.

I shoqëruar nga drejtuesja e departamentit Ligjor në këtë institucion, Edlira Cimbi dhe këshilltari pranë Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve Arben Shkëmbi, ai është njohur nga afër me problematikat e përditshme të punës së prokurorive në rrethe.

Hartimi i dy rregulloreve, atë për Lëvizjet Paralele dhe Ngritjen në Detyrë, ishte një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit, ku me propozim të Ibrahimi u dakordësua për një gjithëpërfshirje më të madhe të prokurorëve dhe Këshillit në këtë proces.

Me interes të veçantë është trajtuar edhe një ndër problemet më të shpeshta sa i përket shtimit të numrit të oficerëve gjyqësorë pranë prokurorive teksa lipset nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë dhe efektiv mes oficerëve gjyqësore dhe prokurorëve, domosdoshmëri kjo që lind edhe nga ngarkesa e punës sidomos në këto dy prokurori.

Në takim u diskua gjithashtu edhe mbi nevojën për një mirëmenaxhim të imazhit të sistemit të prokurorisë në tërësi.

Nevoja për komunikimin publik dhe rëndësia e kultivimit të imazhit të institucionit për hir të sigurisë dhe reputacionit të imazhit të prokurorit ishte ajo çka kreu i Këshillit i propozoi drejtuesve të prokurorive, për të rritur besimin e publikut si dhe për të përmirësuar punën e përditshme të prokurorëve.