Miratimet kushtetuese: Përplasen ashpër Rama dhe Meta

Pas miratimit sot në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.

Me anë të një statusi në Facebook, Presidenti shkruan se “akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm”.

Më tej, Meta ashpërson gjuhën duke shkruar: “Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti. Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë”.

“Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm!

Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane.

Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.

Presidenti i Republikës si gjithmonë do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre.

Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë.

Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund!”, u shpreh Meta.

Kryeministri Rama reagoi menjëherë pas deklaratës së Metës mbi votimin e ndryshimeve kushtetuese, ku shprehej se “asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes nga qytetarët”.

Rama i drejtohet Metës si një shkelës përsëritës i Kushtetutës, ndërsa shkon edhe më tej duke i thënë se “nuk ka asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin”.

I”lir, ti je nje shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venecias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit!

Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!

Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!”, reagoi Rama.