OFL zbret në Jug, në Gjirokastër dhe Përmet

Katër persona në Tiranë, Përmet dhe Gjirokastër janë vënë në shënjestrën e Operacionit Forca e Ligjit, për shkak të pasurisë së tyre të dyshimtë, e cila dyshohet se është produkt i aktivitetit kriminal.

Bëhet fjalë për katër persona të dënuar për vjedhje me dhunë dhe drogë, mes tyre një grua.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Erdi Oshafit, banues në Tiranë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim;

-Gentian Elmazit, banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;

-Gjylystane Elmazit, banuese në Përmet, e dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”;

-Selfo Skëndulit, banues në Lazarat, Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.