Pabarazia gjinore në biznes/ 22 % e sipërmarrjes në Gjirokastër drejtohet nga gra

Sipas një studimi që një organizatë lokale ka ndërmarrë në të gjithë qarkun e Gjirokastrës gati 22% e sipërmarrjes drejtohet nga gratë në të gjithë rajonin dhe gjithë pjesa tjetër administrohet prej burrave.

Është një përqindje që është rritur me kalimin e viteve por gjithsesi ngelet e pamjaftueshme për të balancuar qoftë kuadrin gjinor qoftë kuadrin e menaxhimit të bizneseve.

“Ky numër megjithëse është dyfishuar është vetem 22% e totalit të sipërmarrësve në qarkun e Gjirokastrës. Nga studimi u identifikuan 49 gra artizane, 53% e të cilave merreshin me tekstil, një përqindje e konsiderueshme merrej me artizanatin kulinar dhe ajo që vihej re ishte se kishte artizane që merreshin me përpunimin e gurit, drurit dhe artizanatin miks.“

Gratë e biznesit thonë se administrimi i biznesit të përball me vështirësi të panumërta, vështirësi që janë më të larta se ato që përballin burrat. Lira Xarba drejton një biznes fason që ka gati 30 të punësuar.

“Në fakt të gjitha gratë që merren me biznes kanë vështirësi. Në fakt ty të duhet të zgjedhësh me veten sa kohë do ti japësh punës dhe sa familjes dhe në vitet e para siç jam edhe unë në biznes kjo të merr shumë kohë. Ti zgjedh që kohën më të madhe t’ja kushtosh objektivit të vendosur dhe pastaj familja. Ti nuk mund të gatuash çdo ditë për fëmijët e tu dhe njëkohësisht të jesh sipërmarrëse e fortë. Që në fillimet e mia e kam hasur sfidën që të shihja më shumë burra se gra në takimet e Dhomës së Tregëtisë dhe kjo më bëri të ndihem disi keq dhe besova se gratë duhet të kenë zë edhe atje. Ato nuk mund të jenë thjesht njerëz që punojnë fort. “

Vjola Sherifi ndau me ne vështirësitë që ajo po has për të ngritur një biznes që ka të bëjë me një strukturë akomoduese në qytetin e Gjirokastrës.

“Unë jam në procesin e planifikimit të sipërmarrjes por vështirësitë që në këtë proces që duhet ta planifikosh mirë ndihen. Konkretisht mu desh të ndiqja një trajnim në Tiranë për të rritur nivelin e pritshmërisë ndaj vetes dhe mi desh të lija fëmijët vetëm, të ndërmerrja rrugën. Ishin vetëm disa ditë por duhet të programoja çdo gjë, shoqërimi ne shkollë, në kurse, shumë e vështirë por dëshira për të ecur përpara të
motivon dhe unë e vlerësoj gjithnjë këmbënguljen e grave pasi unë kam një model familjar ku nëna ime ka drejtuar një biznes për më shumë se 20 vjet. Është një grua punëtore, një grua me vullnet por në momentin që filloi punën ajo sikur bëri një stopim nga familja për shkak të ngarkesës dhe barrës së një biznesi që ecte në rrëmujën e situatës. Unë them që të menaxhosh riskun duhet të jesh shumë i programuar në parashikime.”

Për nga pesha në të ardhurat ekonomike të rajonit gratë administrojnë biznese shumë të vogla, ndonjëherë ndërmarrje me një individ ku ato janë vetëpunësuar.

“Një problematikë e grave sipërmarrëse dhe artizane të intervistuara ishte mungesa e mediave sociale për promovimin e produkteve të tyre. Një përqindje shumë e ulët kishte faqe Instagrami dhe Facebooku. Vështirësitë financiare, konkurrenca e pandershme kanë qenë mes problematikave kryesore që gratë kanë përmendur në anketimin e kryer. “

Numri i grave që drejtojnë biznese me shumë të punësuar nuk i kalon 2% të të gjitha sipërmarrjeve në të gjithë qarkun. Ku numër mbetet mjaft i vogël në krahasim me progresin që gratë kanë synuar për përfshirjen në sipërmarrje ndërsa gratë në struktura drejtuese që kanë të bëjnë me biznesin janë pothuajse inekzistente.