Pema e Piperit në Sarandë mbjellë nga Naim Frashëri fiton vëmendjen e Bashkisë! Këshilli: Do vendosen tabela! Propozojmë shumëfishimin

SARANDË– E rrethuar nga mbeturinat dhe i lënë në harresë, fati i pemës së piperit të mbjellë në qendër të qytetit të Sarandës nga dora e Naim Frashërit mund të ketë një tjetër rrjedhë. Jo si të simotrës së saj, e cila u pre pas viteve ’90, por të rikthimit të vlerave, kulturore dhe historike që mbart prej më shumë se 145 vitesh.

Pas transmetimit të lajmit nga Shqiptarja.com, Ibrahim Bajrami, anëtar i Këshillit Bashkiak të Sarandës pranon që është treguar minimumi i vëmendjes nga ana e autoriteteve, pavarësisht faktit që nuk ka një pemë të dytë si ajo në vend.

Si argument për këtë harresë, Bajrami thotë se është problemi i pronësisë, por që tani më kjo po shkon drejt zgjidhjes, e për pasojë do të nisë edhe përkujdesja.

Minimumi është vendosja e tabelave që tregojnë për ekzistencën e saj.

“Kjo pemë së bashku me nja 4 rrënjë pemësh të ndryshme janë bërë pjesë e traditës së Sarandës, pemë që kanë më shumë histori në veten e tyre për Sarandës, se ç’mund të ketë ndonjë monument tjetër.

Kanë jetuar së bashku me pjesën e popullit, qytetin modern që nga themelimi i qyteti. Kjo pemë, ne jemi rritur me të, na sjell kujtime të shumta në mendje, fruti i saj konsumohet, është piper aromatik, jo vetëm kjo, por edhe 3-4 rrënjët e tjera që mbijetojnë, disa prej tyre kanë humbur,  fatkeqësisht e gjejnë veten të pambrojtura.

Ato mund të ishin pjesë e rrethit turistik të qytetit, që turisti t’i shikonte dhe të kapte historinë e qytetit dhe një pjesë e rëndësishme e historisë lidhen me monumente të gjalla të cilat i ka mbjellë Naim Frashëri.

Po bëhet dalëngadalë 150 vjeçare dhe është fatkeqësi për ne që nuk kemi pemë të tjera që rivalizojnë në moshë këtë pemë dhe ne i kemi lënë pa asnjë lloj përkujdesje.

Besoj se ata janë shkëputur dhe nga tradita e qytetit, dhe nga memoria për shkakun se kanë mbetur të mbyllura në disa kthjellina të paqarta sa u përket pronësive të tyre dhe nuk është gjetur mundësia për të vendosur një emër në to.

Tashmë është një mundim shumë i vogël, për t’u qartësuar se kujt i përkasin dhe të vendosen 2-3 tabela dhe një përkujdesje minimale për këto pemë që e kanë vërtetuar vitalitetin e tyre. Njëherësh, ato bëhen edhe një pjesë e historisë dhe gjeneratës së re për të kuptuar se nga po vinë”, tha Bajrami.

Mehmet Nelaj, anëtar i Këshillit Bashkiak ka një tjetër propozim. Ai është i mendimit që duhet të shihet mundësia për ta shumëfishuar këtë pemë dhe përveç të tjerave që të pajiset me një status të veçantë.

“Jemi përpara një peme të rrallë që në gjitha kohërat është quajtur piperi, këtë pemë e kam njohur kam 70 vite këtu në Sarandë që kur e mbaj mend veten time, por edhe e kam shijuar piperin në gojën time kur isha në adoleshencë, por kam dëgjuar që kjo pemë vjen nga Afrika, është pemë e rrallë që nuk bëhet kollaj, pastaj ka histori të tjera, ca thonë që e ka sjellë Naim Frashëri. Por ka mbi 150 vjet, tani vijmë të mbrojtja e kësaj pemë të rrallë. Nuk është krijuar kujdes nga asnjë qeveri vendore, po kërkohet që kjo të ruhet, që të ruhet kjo duhet të marrë një status të pemës së rrallë, por edhe si objekt natyre i rrallë. Të iniciojmë një status të veçantë që bashkia ta ketë në ruajtje e por të shikojmë dhe me speciaslista të mirëfilltë sesi të mund ta shumfishojmë po pati mundësi, është një vlerë e qytetit, por e humbur deri tani si një pemë e zakonshme nga njerëz që nuk ia dinë vlerat. Prandaj kërkohet që ta përmirësojmë shëndetin e saj”, tha Nelaj.

Banorët e kujtojnë si një pemë që personifikohet me qytetin.

“Ajo pema më kujtohet në ato kohëra që thonin piperi i zi, dhe ajo edhe sot, është e mira që ta mbajnë njerëzit se është përkujtimore, historike duhet ta njohin të tërë ka qenë dembabadem  aty”, tregon një i moshuar.