Rritja e shifrave, Rama i prerë: Nuk mbyllemi më, secili të mbajë përgjegjësitë e veta

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë komunikimit me gazetarët se nuk do të ketë një mbyllje tjetër të vendit pavarësisht rritjes së shifrave.

Rama tha se një mbyllje tjetër do të ishte me përmasa kritike, ndërsa u shpreh se qeveria është e përgatitur për të përballuar situatën me kapacitete shëndetësore.

“Një mbyllje tjetër e Shqipërisë është diçka në përmasa kritike për të gjithë. Një kontroll i rregullave në hapje me polici dhe ushtri për çdo qytetar është i pamundur. Rritja e numrave ndodh në të gjithë vendet që hapen dhe çdo qytetarë duhet të marrë përgjegjësinë e vet.

Ne po bëjmë çmos sa na takon por unë nuk mendoj se mund t’i kthehemi mbylljes. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se virusi është aty. Mbyllja e para ishte për t’u vetëdijësuar.

Jemi të përgatitur për ta përballuar këtë rritje numrash. Por nëse duam të ruajë këtë trend dhe të minimizojmë pasoja të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë e vet. Ne e kemi rritur numrin e testeve. Testet i bën autoriteti përkatës. Ajo ia jep të drejtën vetë spitalit privat”, tha Rama.