Zgjidhet çështja e tunelit “Kardhiq-Delvinë”

Pas një vit procesesh, ankimesh dhe hetimesh është zgjidhur çështja e nisjes së punimeve për të ndërtuar tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur që të jetë kompania ‘Gjoka Konstruksion’ ajo që do të ndërtojë veprën, kundrejt një vlere prej 14.5 milionë euro.

Ankesa e shoqërisë “Gjoka” është depozituar që në shtator të vitit të shkuar, por Komisioni vendosi shqyrtimin e saj përpara dy javësh, vetëm pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shpreh se ky proces nuk bie ndesh me hetimin e nisur ndaj kësaj kompanie dhe ish-drejtueses së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qatos.

‘Gjoka Konstruksion’ kallëzoi penalisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Sonila Qaton, për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv në tenderin e Kardhiq-Delvinës, ku, sipas kompanisë “Gjoka”, ajo kishte dhënë ofertën më të ulët, por ARRSH shpalli fituese firmën që dha vlerën më të lartë mes 6 ofertuesve, konsorciumin “Ircop dhe Vega”, me një ofertë 4.2 milionë euro më të lartë.

Pavarësisht se Komisioni i Prokurimit Publik mori vendim më pas që fituese të jetë kompania “Gjoka”, Autoriteti Rrugor nuk e zbatoi vendimin, dhe shpalli sërish fituese kompaninë me ofertën më të lartë.

ARRSH depozitoi më pas padi për deklarim të rremë të dokumentacionit në tender ndaj kompanisë “Gjoka”, duke thënë se firma u skualifikua sepse nuk përmbushte kushtet për t’u kualifikuar në garë për këtë vepër.

Së fundi SPAK ka lejuar Komisionin e Prokurimit Publik që të shprehej mbi çështjen e njohur teknikisht si loti 7 i Kardhiq – Delvinës. Tuneli lidh dy segmente të kësaj rruge me njëra-tjetrën, në mënyrë që aksi të jetë funksional. Aktualisht po vijohet me punimet në lotet e tjera.