Nënë Elefteria e pastrehë në Sarandë, reagon drejtoresha e Shërbimit Social: Donim ta çonim në azil, por refuzonte. Caktuam kujdestare kunatën e saj

Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Luneda Sufali ka reaguar lidhur me rastin e Elefteri Qendrothanasit, e moshuara që bëri xhiron e rrjeteve sociale pasi jetonte në rrugë dhe e pushtuar nga insektet. Sufali në reagimin e saj zyrtar lidhur me rastin është shprehur se strukturat vendore e njihnin rastin e të moshuarës, të cilën prej disa kohës tentonin që ta sistemonin në një azil por gjithmonë janë hasur me kundërshtimin e saj. Me tej, drejtoresha pretendon se duke qënë se kanë hasur kundërshtimin e të moshuarës, atëherë kunata e saj është caktuar si kujdestare e saj, duke përfituar edhe pagesën përkatëse. Në fund të reagimit të saj, Luneda Sufali bën me dije se e moshuara ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.

“Në kushtet ku zgjedhja për t’u sistemuar në institucion i takon qytetarit dhe të përballur me refuzimin e zonjës, Bashkia Himarë i ka caktuar zonjës si kujdestare kundrejt pagesës kunatën e saj. Zonja Elefteri trajtohet me pagesë invaliditeti dhe caktimi i kujdestarit është bërë me qëllim që e moshuara të marrë shërbimin në banesë, jo në mjedis të institucionalizuar. Mbrëmjen e djeshme, ekipet tona nga Shërbimi Social dhe struktura vendore, me konstatimin e një gjendjeje të rënduar shëndetësore dhe higjieno-sanitare, kanë transportuar gjyshen në Spitalin e Sarandës ku po merr të gjithë kujdesin shëndetësor sipas nevojave të saj,”-shkruhet ndër të tjera në reagim. Kur rasti i saj u bë publik dy ditë më parë, ajo u dërgua në shtëpinë e të moshuarve, mirëpo dëshira e saj ishte të kthehej aty ku qëndronte duke refuzuar kështu ndihmën e institucioneve. Këtë e ka pohuar dhe drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Luneda Sufali e cila ka shkruar në Facebook se e moshuara ka refuzuar të shkojë në azil- duke justifikuar kështu punën e tyre.

Postimi i plotë i Sufalit:

Reagim institucional mbi rastin e nënë Elefterisë- Ditën e djeshme në median elektronike u bë publik rasti i të moshuarës Elefteri Qendrothanasi nga Piqerasi. Shërbimi Social Shtetëror dhe strukturat vendore e njohin rastin dhe prej shumë kohësh kanë bërë përpjekje për sistemimin e gjyshes në një Shtëpi të Moshuarish ku mund të merrte përkujdes socio-shëndetësor me standarde të larta, por jemi hasur me refuzimin e zonjës për t’u institucionalizuar. Në kushtet ku zgjedhja për t’u sistemuar në institucion i takon qytetarit dhe të përballur me refuzimin e zonjës, Bashkia Himarë i ka caktuar zonjës si kujdestare kundrejt pagesës kunatën e saj. Zonja Elefteri trajtohet me pagesë invaliditeti dhe caktimi i kujdestarit është bërë me qëllim që e moshuara të marrë shërbimin në banesë, jo në mjedis të institucionalizuar. Mbrëmjen e djeshme, ekipet tona nga Shërbimi Social dhe struktura vendore, me konstatimin e një gjendjeje të rënduar shëndetësore dhe higjieno-sanitare, kanë transportuar gjyshen në Spitalin e Sarandës ku po merr të gjithë kujdesin shëndetësor sipas nevojave të saj.

E moshuara përfiton një pension invaliditeti, ndërkohë që kujdestare e saj është caktuar e kunata, e cila përfiton edhe pagën e posaçme. Kjo e fundit është shprehur duke thënë se ajo mund të kujdeset për të vetëm në shtëpi, jo në rrugë, dhe se Elefteria ka ikur nga shtëpia.