Rama: Situata në kufi s’ka lidhje me qeverinë, por me regjimin e ri të kontrolleve të diktuara nga pandemia

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar situatën e krijuar në pikat kufitare me Greqinë si situatë të ardhur si pasojë e regjimit të ri të kontrolleve të diktuar nga pandemia dhe jo si shkak i keqmenaxhimit të autoriteteve shqiptare apo keqtrajtimit dashakeq nga pala greke.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri garantoi se qeveria e ka ndjekur me vëmendje situatën prej ditësh duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me homologun grek Kyriakos Mitsotakis.

“Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, siç thonë “patriotët” që luftojnë për dinjitetin e atdheut nga ajfoni i tyre. Këtu është fjala për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik, shtetas këta që si gjithë të tjerët i nënshtrohen testimit në çdo aeroport të vendit fqinj. Madje edhe vetë shtetasit grek kanë të njëjtin detyrim dhe të njëjtin trajtim,” – u shpreh Rama në Facebook.

Rama u shpreh se e njëjta situatë, që ai e konsideroi si çmenduri, po ndodh edhe në Britani të Madhe, për ata që po provojnë të kthehen nga Franca.

“Kjo është koha e mallkuar që po jetojmë, ku normaliteti me të cilin jemi mësuar një jetë, ia ka lënë vendin imponimit të disa rregullave të pamendueshme deri dje, si edhe konfuzionit në mënyrën se kur e si vendosen, duke bërë që edhe shtete të vetë BE-së, të kenë rregulla të ndryshme nga njëri-tjetri, duke trajtuar në mënyrë të diferencuar njëri-tjetrin,” – shtoi më tej Rama duke thënë se nuk e kuptonte qëllimin e vendosjes me detyrim të kryerjes së analizave për COVID-19 në pikat kufitare.

“Të gjithë e dimë që tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet. Ashtu sikundër, e kemi parë edhe që jo gjithnjë tamponi e zbulon infeksionin me Covid19. Por kështu e ka vendosur Greqia dhe jo vetëm Greqia po edhe plot shtete të tjera, ndërkohë që të tjera shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk e kanë këtë rregull,” – analizoi Rama, i cili e justifikoi radhën e emigrantëve shqiptarë me rikthimin e masës për karantinë të detyrueshme për ata që kthehen.

“Kjo e ka krijuar kolapsin e shërbimit doganor në anën greke, ku sado që janë shtuar e po shtohen kapacitetet e testimit, lehtësimi i lëvizjes as nuk ndjehet fare. Çfarë mund të bëjmë ne, qeveria dhe shteti shqiptar në këto kushte, kur e përsëris, ky është një rregull i përgjithshëm i shtetit grek, që prek edhe vetë grekët që kthehen në Greqi!,” – u shpreh kryeministri ndërsa më tej shpjegoi se që në njoftimet e para nga autoritetet greke, qeveria e tij ka shfaqur shqetësim për atë se çfarë do të ndodhte.

“Nga ana jonë ne, Shqipëria, nuk do t’i rikthehemi karantinimit të detyruar për ata që vijnë nga jashtë, as nuk do të rishtrëngojmë lëvizjen e njerëzve brenda për brenda. […] Asnjë shtet e asnjë qeveri nuk janë të pakritikueshëm, aq më shumë në këtë kohë dreqi, por jo, asnjë lidhje nuk ka situata në Kakavi me ndonjë gjë të lënë mangët nga shteti e nga qeveria jonë në raport me shtetin e me qeverinë greke. Prandaj me keqardhjen më të madhe për sfilitjen e të gjithë atyre që janë në atë radhë të tmerrshme, i siguroj të gjithë pa përjashtim se as i kemi lënë dhe as do t’i lemë asnjë minutë vetëm, deri në fund,” – theksoi kryeministri.

Prej katër ditësh mijëra emigrantë shqiptarë mbeten në pritje për të kaluar kufirin me Greqinë, ku pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës janë kufizuar duke punuar vetëm gjatë ditës.

Radhët janë nxitur prej faktit se prej së hënës autoritetet do të kërkojnë analizën e COVID-19 për të mundësuar kalimin dhe krahas kësaj vendosjen në karantinë të detyrueshme për 7 ditë.

Ditën e sotme gjendja u rëndua më tepër kur një fëmijë u aksidentua nga një ambulancë në Bularat.