Reagon kryeministri për Kakavijën: Janë procedura të njëjta për qytetarët e çdo vendi

Edi Rama ka reaguar me një status pas përshkallëzimit të situatës në Kakavijë.

Kryeministri thotë se qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me palën greke, por pa dhënë detaje dhe thekson se kjo është procedurë e njëjtë për çdo qytetar.

Në shënimin e tij kryeministri Rama thotë se Forcat e Armatosura janë prej natës së djeshme duke u dhënë ndihmë udhëtarëve në kufi.

Rama shkruan:

‘Jemi në komunikim të vazhdueshëm me palën greke për lehtësimin e procedurave, të cilat janë procedura të njëjta në çdo pikë hyrëse të Greqisë, për qytetarët e çdo vendi, përfshirë edhe qytetarët grek që hyjnë në një kufi! Në ndërkohë Forcat e Armatosura dhe strukturat bashkiake të Gjirokastrës, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës e Përmetit, e kanë gdhirë me qytetarët që qëndrojnë në radhë në Kakavijë duke ofruar ndihmë shëndetësore, ndihma ushqimore, ujë të pijshëm dhe asistencë për higjenen sanitare në terren’.

Sot në Kakavijë radhët janë shtuar.

Një ambulancë ka përplasur një fëmijë për vdekje teksa po dërgonte me urgjencë një grua të sëmurë drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës.

Pala greke ndërkaq vazhdon procedurat e saj dhe radhët e shqiptarëve janë kilometrike.