Auron Tare: Butrinti të mos u jepet të huajve për menaxhim, AADF në konflikt interesi

Studiuesi Auron Tare mbështet rekomandimin e Giora Solar, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Monumenteve dhe Siteve që Parku Kombëtar i Butrintit të Menaxhohet nga një organizatë qeveritare vendase dhe jo nga një fondacioni i huaj.

Tare nga ana tjetër foli dhe për konflikt interesi të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që ka kontraktuar dhe mbështetur financiarisht një kompani angleze “Prince and Pearce”, për të hartuar planin e menaxhimit.

Z. Tare tha se plani është hartuar nga tre ekspertë që nuk e njohin Butrintin dhe se nuk janë pyetur specialistët shqiptarë të fushës.

“Kemi propozuar për të krijuar një trust shqiptar me ekspertë shqiptarë. Kemi 100 vjet eksperiencë në menaxhimin e siteve. Jo fondacion i thuaj, AADF është në konflikt interesi është bankë. Ka paguar për të ndryshuar ligjin. Ka marrë një kompani në Angli me një ekspertizë shumë të vakët për të bërë një plan menaxhimi për Butrintin”, u shpreh studiuesi.

“Kanë punuar dy anglezë me një zonjë boshnjake që nuk e njohin fare Butrintin. Mungon plejada që kanë punuar dhe i kanë dhënë Butrintit. Nuk u kanë marrë mendim dhe as i kanë cituar. Ky plan propozon që Butrint të menaxhohet na një fondacion dhe AADF vet afrohet që ta menaxhojë. Çdo asocim i saj është konflikt interesi. AADF është një bankë e regjistruar në Delaware, në një vend parajsës fiskale. Nuk kam interes personal dhe nuk ka asnjë arsye që të përplasem për këtë por vetëm kam punuar për 10 vjet”, shtoi z. Tare.

Studiuesi tha më tej se Ministria e Kulturës ka qenë e paaftë që të menaxhojë Parkun Kombëtar të Butrintit, por kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk është e aftë ta bëjë. Ai shtoi se për këtë duhen thirrur që të dëgjohet opinioni i ekspertëve duke përmendur Aleksandër Meksin dhe Neritan Cekën.