Auron Tare kundër Ramës: Butrinti nuk mund t’i jepet të huajve, është e rrezikshme

Ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, studiuesi Auron Tare shprehet kundër dhënies së kësaj trashëgimie arkeologjike me koncesion për menaxhim te privati.

Qeveria e Edi Ramës ka vendosur ta japë Butrintin me koncesion për 10 vite te kompania britanike “Prince & Pearce”, rast unik në Europë.

Por Tare thotë se kjo do t’i hapë rrugën kompanive të tjera private për të marrë në menaxhim trashëgimi kulturore, ku sipas tij nuk është çudi nëse një kompani greke merr në menaxhim Gjirokastrën apo Tepelenën.

“Situata në 10-vjeçarin e fundit në Butrint lë për të dëshiruar, si situata e vizitorëve dhe ekspeditat arkeologjike, shkolla e restaurimit e cila nuk është më.

Megjithatë do të thosha me gjithë këtë situatën që ka trashëgimia kulturore në Shqipëri, Butrinti i qëndroi, i rezistoi. Në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepet një fondacioni të huaj për menaxhim.

Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ne do të mund të kemi shumë mirë një fondacion grek që mund të marrë Gjirokastrën, Tepelenën, apo Krujën. PPP në trashëgiminë kulturore është shumë e rrezikshme.

Nuk mund t’u jepen të huajve. Nuk kemi një model tjetër në Europë. Ose do të pranojmë që Butrinti ka falimentuar, dhe i jepet një pale të huaj.

Ose themi që Butrinti është i suksesshëm, dhe nëpërmjet një fondacioni të mblidhen të gjithë ekspertët më të mirë shqiptarë.

Por duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund ta dorëzosh trashëgiminë tënde te një i huaj”, deklaroi Tare në “Ora News”.