Autori që terrorizoi policinë e Elbasanit dhe plagosi dy të rinj me armë zjarri është sarandjoti Lefter Zhidru 71-vjeçar

Ky është Lefter Zhidru, 71 vjeç nga Xara e Sarandës i cili terrorizoi Elbasanin dhe la të plagosur dy të rinj kalimtarë, Ledio Saraçi 22 vjeç dhe Abdenauer Kodraxhiu, 21 vjeç.

Autori i moshuar prej 2 orësh tashmë është fshehur në një banesë teksa dhjetëra forca RENEA, FNSH e SHQIPONJA janë në aksion për ta kapur.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe drejtori i Policisë Ardi Veliu. 71-vjeçari për një orë rresht qëlloi me kallash drejt efektivëvë ndërsa tashmë i ka ndalur të shtënat por gjithsesi nuk është dorëzuar ende. Aktualisht të gjithë efektivët janë vendosur në pozicion luftimi, në mënyrë të organizuar, me armatim special, gati për ta arrestuar por ende nuk ia kanë dalë.

SI NISI NGJARJA:

Policia sqaron se e gjitha ka nisur nga një konflikt familjar. Ka qenë një grua ajo e cila ka telefonuar policinë pas konfliktit me të shoqin, autorin e ngjarjes, Lefter Zhidru. Ky i fundit ka dhunuar gruan dhe vajzën e tij 14-vjeçare.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivët por aty kanë hasur në rezistencën e autorit i cili i ka qëlluar me breshëri.

 NJOFTIMI I POLICISË:

Më datë 24.09.2020, rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar dhe vijon të qëllojë me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.

Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje këtij shtetasi të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë.

Si pasojë e të shtënave janë plagosur jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç, kalimtarë të rastit, në momentin që ky shtetas ka filluar të qëllonte me armë në drejtim të Policisë.

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë.

Shtetasi Lefter Zhidru vijon të qëllojë me armë duke bërë rezistencë edhe pas thirrjeve të pandërprera të Policisë.

Banesa nga e cila po qëllon ky shtetas është e rrethuar dhe Policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtarëve të tjerë të rastit.