Bashkia e Vlorës fiton gjyqin ndaj kompanisë franceze “Tis Park”, Leli: Do na paguajnë 700 mijë dollarë

VLORË– Bashkia e Vlorës ka fituar gjyqin në gjykatën e Arbritazhit në Paris ndaj kompanisë franceze “Tis Park”. Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i qytetit, Dritan Leli, i cili është shprehur se tanimë kompania duhet t’i paguajë Bashkisë një shumë prej 700 mijë dollarësh.

Mbrëmë në darkë erdhi lajmi, një super lajm duhet të them , ajo që ne kemi fituar çështjen ndaj Tis Park. Kontrata tashmë quhet e përfunduar. Nuk do të kemi asnjë konsekuesncë. Tani përkundrazi, Tis Parku duhet të na paguajë rreth 700 mijë dollarë dhe detyrime të tjera që janë harxhuar për të fituar këtë çështje, ndërkohë që nuk do jemi më peng e kërkesës absurde nga kjo firmë, e cila kërkonte 23 milionë euro dëmshpërblim duke llogaritur dhe konseguencat e tjera deri në 50 milionë euro. Pra do merrte peng financiarisht bashkinë për 50 vitet e ardhshme. Sot jemi fituese e kësaj çështje të madhe. Për këtë çështje po shprehem për herë të parë para 5 vitesh. Ka qënë një situatë e sikletshme,”-tha Leli në fjalën e tij.

Kompania koncesionare “Tis Park” paditi Bashkinë e Vlorës në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit për prishje të njëanshme të kontratës, duke kërkuar një dëmshpërblim nga 24 deri në 58 milionë dollarë. Kjo pasi Bashkia, pas një reagimi të ashpër të qytetarëve, u detyrua që të prishte koncesionin e dhënë në shkurt të vitit 2015.  Sipas marrëvëshjes koncesionare të firmosur nga ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika, kompania private do të investonte 10 milionë lekë në vit në parkingjet publike të Vlorës dhe në këmbim do të vilte pagesën nga automjetet e qytetarëve për 15 vjet.

Pas prishjes së kontratës, kompania koncesionare e paditi bashkinë në Arbitrazhin e Parisit pasi Bashkia kishte rënë dakord ta paguante koncesionarin për 15 vjet, ndërsa ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika u mor i pandehur nga Prokuroria.