Butrinti nuk do të jepet me koncesion! Ministrja Margariti sqaron zërat

Parku Kombëtar i Butrintit nuk do të jepet me koncesion për t’u shfrytëzuar.

Ministrja e Kulturës, Eva Margariti, hodhi poshtë zëra ndërsa sqaroi në emisionin ‘Ilva Now’ në ‘Euronews Albania’ se, qeveria po krijon një formulë bashkëpunimi me fondacione, të cilat janë OJF dhe qëllimi kryesor dhe final është mirëmenaxhimi i site-ve kulturore.

“Nuk ka koncesion. Koncesion për sa kohë ne nuk kemi një shoqëri private, e cila të marrë në përdorim një pjesë të një aseti shtetëror, nuk jemi aspak në një formulë të tillë, por ne jemi në një formulë bashkëpunimi, krijimin e fonacioneve të posaçme që mirëmenaxhojnë sitet kulturore, ku gjithmonë Ministria e Kulturës është pjesë e këtyre donacioneve, shteti shqiptar është lider në krijimin e strukturave të reja të menaxhimit.

Fondacioni është fondacion jofitimprurës. Qëllimi primar është që të mirëmenaxhojë fondet e Butrinit, që të mund të investohet më tepër. Nuk po flasim për koncesion, por fondacion që mbetet OJF”, tha ministrja Margariti.