Gjimnazistja në Gjirokastër rezulton pozitive me Covid-19, testohen 20 nxënës dhe 7 mësues

GJIROKASTËR– Një nxënëse e shkollës së mesme “Siri Shapllo”, në Gjirokastër ka rezultuar e infektuar me koronavirus, e për këtë shkak u është bërë tamponi të gjithë nxënësve të klasës.

Pas këtij rasti është bërë me dije se në klasën ku nxënësja ka rezultuar e infektuar me koronavirus janë testuar 20 nxënësit e klasës së saj dhe 7 mësues të cilët kanë pasur kontakte me gjimnazisten e sëmurë

Tashmë të 20 nxënësit dhe 7 mësuesit e kësaj shkolle janë në pritje të rezultatit të tamponit për Covid-19.

Ndërkohë, 4 persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit pas infektimit me Covid-19. Ndërsa 159 të tjerë janë identifikuar si të infektuar me koronavirus në të gjithë Shqipërinë.

Deri më sot në vendin tonë janë të infektuar 12.226 persona me COVID-19 ku prej tyre kanë gjetur vdekjen 358 që prej fillimit të shpërthimit, por aktualisht janë aktivë 4980 pacientë.