Gjirokastra e preferuara e turistëve në çdo stinë, Golemi: Mbi 550 turistë në 10 ditët e para të shtatorit

Gjirokastra çdo fundjavë po mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, tha sot për ATSH-në se “vetëm në 10 ditët e para të shtatorit qyteti ynë u vizitua nga 550 vizitorë vendas e të huaj, ndërsa pothuajse të gjitha hotelet në pjesën muzeale kanë qenë të rezervuara. Ndërsa në muajin gusht Gjirokastra u vizitua nga mbi 2 mijë turistë”.

“Ndërsa muzetë e qytetit në 10 ditët e para të shtatorit u vizituan nga 557 turistë, ku konkretisht 317 turistë në Muzeun e Armëve, 100 në Muzeun Etnografik, 120 në Muzeun Kadare, dhe 20 në Muzeun e Luftës së ftohtë”, – theksoi Golemi.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “vizioni ynë është ta shndërrojmë qytetin edhe në një destinacion fundjavash për vendasit, ndërsa për të huajt Gjirokastra tashmë është një markë e njohur turistike”.

Golemi u shpreh se “ky vit po shkon drejt fundit me kufizimet e veta për shkak të pandemisë, por sapo të çlirohemi njëherë e mirë nga armiku i padukshëm, besoj se viti i ardhshëm do të ketë një fluks më të madh turistësh në Gjirokastër e mbarë Shqipërinë”.
Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve”.

Para transformimit të Pazarit të Vjetër në Gjirokastër ka plot 70 bujtina dhe mbi 10 hotele. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.