“Luftëtarin po e bëjnë Delvinë”, ikona e futbollit gjirokastrit: Skuadra po lëngon në shtratin e vdekjes

Luftëtari nuk është stërvitur prej të martës së 15 shtatorit, pasi lojtarët janë në bojkot.

Nuk dihet nëse kësaj situate do t’i jepet zgjidhje, e megjithatë ndoshta sot do të mësohet diçka më tepër rreth situatës që ka kapluar klubin. Kjo gjendje shqetëson dhe opsionin futbolldashës dhe mbi të gjitha ata që kanë lënë gjurmë për këtë fanellë.

Luan Seiti pret që të vendosen një orë e më parë pikat mbi “i”. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, një nga ikonat e gjalla të futbollit gjirokastrit shprehet:

“Kur kujtoj takat e kundërshtarëve para viteve ’90, më vijnë në mëndje shumë gjëra. Më kujtohet ‘arroganca’ sportive dhe dëshira e gjithsecilit për të fituar çdo ndeshje.

Te lojtarët tanë, kjo dëshirë duket se ka humbur. Vërtet zbritëm në Kategorinë e Parë, por kjo s’do të thotë që ekipi të braktiset dhe askush të mos i dalë për zot. Trajneri ka bërë mirë që ka ikur dhe nuk premton rikthim për aq kohë sa gjërat s’shkojnë mirë.

Unë s’e njoh fare presidentin dhe as nuk dua ta njoh. Të gjitha ekipet kanë probleme financiare. Kur s’ke interesa, s’ke pse ta mbash peng ekipin. Duhet të kesh një thes me para që të mbash një skuadër futbolli.

Pyetja ime është: Ku është interesi i këtij presidenti për të mbajtur Luftëtarin? Nuk duhet vetëm një president për të investuar në futboll. Të gjithë duhet të investojnë në këtë moment të vështirë. Nuk mbahet Luftëtari vetëm me një president.

E shikoni që Luftëtarin po e bëjnë Delvinë… Nuk shoh dritë jeshile, ndaj dhe bashkia do të fitonte shumë pikë në këtë situatë të vështirë duke e mbështetur financiarisht me mundësitë që e lejojnë. Luftëtari mund të shkrihet fare, gjithnjë nëse s’do të ketë minimumin e financave.

Shembull konkret është Vllaznia. Për herë të parë doli një president dhe mori përsipër ribërjen e ‘djepit’ të futbollit tonë. Jo vetëm presidenti aktual, por të gjithë të vendosin nga një ‘gur në themelin’ e ribërjes së Luftëtarit.

Anën financiare e shohin të gjithë në jetë dhe jo më futbolli i kohëve të sotme. Është koha për t’u zgjuar dhe jo për t’u shmangur për Luftëtarin që po lëngon në shtratin e vdekjes”, përfundoi Seiti.