Punime mirëmbajtjeje në Kalanë e Borshit, alternativë turizmi kulturor për vizitorët e bregdetit

Monumentet e kulturës dhe sitet arkeologjike të Shqipërisë po vizitohen nga turistë vendas e të huaj, të cilët kanë interes të mësojnë për historinë dhe kulturën e vendit tonë.

Mbajtja pastër e ambienteve rreth monumenteve,  ashtu si në fillim të sezonit turistik, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vijon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Ditët e fundit  punonjësit e Sektorit të Trashëgimisë Kulturore Sarandë kanë pastruar ambientet e jashtme në Kalanë e Borshit.

Sektori i Kulturës Kombëtare Sarandë bën të ditur se puna është përqendruar  brenda rrethimit të murit perimetral të kalasë duke realizuar prerjen në mënyrë mekanike të vegjetacionit, por duke ndërhyrë gjithashtu edhe me spërkatje me pompë me herbicid duke bërë të mundur edhe tharjen e vegjetacionit. Kjo ndërhyrje lehtëson më shumë pastrimin nga vegjetacioni”.

Rruga për në kalanë e Borshit ka përmirësuar aksesin në një nga atraksionet historike kulturore të bregdetit të jugut, duke ofruar një mundësi alternative për turizmin në këtë zonë me aktivitet të lartë turistik.

Kalaja e Borshit (ose Kalaja e Sopotit siç njihet në histori) ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh, që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III para Krishtit.

Në mesjetë kjo Kala njihej si Kalaja e Sopotit, ku përmendet dhe në kujtimet e Ana Komnenës, vajzës së Perandorit të Bizantit Aleksi I Komhenei në vitin 1192. Në periudhën e Ali Pashë Tepelenës u ndërtua dhe një xhami, që sot është në gjendje të mirë, paçka se minareja është rrëzuar.