Rruga e lumit të Vlorës – Qeveria tërhiqet nga kredia 30 milion dollarë: Kemi projekte në proces nga FSHZH

Qeveria shqiptare është tërhequr nga kredia 30 mln USD e Fondit Saudit për Zhvillim, që do të përdorej për rehabilimit e rrugës së Lumit të Vlorës.

Projekti parashikonte ndërtimin e rrugës që fillonte nga by-pass-i i Vlorës, Ura e Pëshkëpisë, Ura e Laskos deri në Qeparo si dhe ndërtimin e degëzimit Ura e Peshkëpisë-Selenicë-superstrada Levan- Tepelenë.

Në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, realizimi i këtij projekti shihej si shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik në nivel rajonal e vendor.

Ai parashikohej të niste zbatimin në vitin 2017 dhe të përfundonte në fund të vitit 2020 dhe do të krijonte një rrugë të re tërheqëse,më të shkurtër dhe midis të tjerave edhe ndotje më të ulët të mjedisit dhe reduktim të kohës së udhëtimit drejt destinacioneve të bregdetit. Por, tërheqja nga marrëveshja është kërkuar pasi Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka në proces zbatimi disa projekte aksesh rrugore të cilat përmbushin edhe qëllimin fillestar të projektit për të cilën është ratifikuar kjo marrëveshje financimi.

Ndërkaq, bazuara në procedurat ligjore, komisionet parlamentare kanë miratuar projektligjin për ndjekjen e procedurave të denoncimit të marrëveshjes, pasi sikurse miratimi i saj edhe tërheqja duhen bërë me ligj.