“Vendasit zgjodhën Sarandën, menaxhimi i plazheve, problematik”

Saranda ka pasur një pik sezoni prej vetëm 10 ditësh këtë vit kur strukturat akomoduese u mbushën në 90% të kapacitetit, ndërsa mesatarja e sezonit luhatet tek 60%.

Arben Çipa, administrator i agjencisë “Sipa Tours” dhe kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, shprehet se qytetin jugor e kanë zgjedhur kryesisht turistët vendas.

Ai thotë se ka pasur edhe turistë nga Kosova dhe më pak polakë, bjellorusë dhe ukrainas. Çipa thekson se ajo që nuk ka funksionuar siç duhet në këtë vit të vështirë ka qenë menaxhimi i plazheve.

Si ka qenë ecuria e sezonit veror në zonën e Sarandës tani që gushti po mbyllet?

Hotelet punuan mesatarisht me kapacitet 60% në sezon. Mund të themi se kanë pasur frekuentim, por ka ndryshuar nga java në javë. Javën e parë të muajit gusht, plotësimi i kapacitetit ka qenë vetëm 50%, ndërsa java e dytë e gushtit dhe gjysma e javës së tretë ishte në luhatje mes 70-80%.

Piku i sezonit veror, i cili është zakonisht 15-korriku dhe 20 gushti këtë vit u arrit vetëm në një 10 ditësh, në muajin gusht. Atë mund ta quajmë si pik dhe kur hotelet punuan me kapacitet 90%.

 

Si ka qenë këtë vit pjesa e menaxhimit të plazheve, duke qenë se dhe aplikimet janë bërë me vonesë dhe nëpërmjet portalit?

Pjesa e plazheve ka lënë disi për të dëshiruar në lidhje me menaxhimin dhe mënyrën si është konceptuar. Flas këtu gjithmonë për pjesën e Sarandës. Ai 20 përqindëshi që ka qenë për publikun tani iu mor dhe u kaloi në administrim hoteleve dhe restoranteve. Pra nuk kishte plazh publik, por u la vetëm ai në qendër të qytetit. Kjo situatë krijoi disi probleme dhe ankesa.

Personalisht kam marrë ankesa për këtë situatë. Bashkia shkon me vendimin e ministrisë dhe në këtë situatë të humbur, kanë qenë jo vetëm qytetarët por edhe mënyra sesi u konceptua dhe u shfrytëzua hallexhiu biznesmen. Këta të fundit kanë paguar edhe më shumë taksa këtë vit, kur ky vit ishte i vështirë. Nëse deri vitin e kaluar, subjekti që merrte plazhin deklarohet 45 ditë në sezon, pra shfrytëzohet plotësisht, në këto ditë këtë vit llogaritja u bë me 135 ditë.

Pra subjektet paguan taksa e detyrime te bashkia për 135 ditë, sikur kanë punuar dhe kanë qenë me kapacitet të plotë dhe jo vetëm kaq, por edhe i parapaguan këto detyrime, ndërkohë që mund të ishte gjetur një zgjidhje alternative për të mos i bllokuar likuiditetin e pakët që mund të kishin në dispozicion në këtë kohë të vështirë.

 

Cilat kanë qenë grupet e turistëve që kanë vizituar Sarandën këtë vit, duke pasur parasysh kufizimin e lëvizjes? Si ka qenë raporti me vendasit?

Grupi më i madh i turistëve kanë qenë vendasit. Numri i shqiptarëve të Kosovës ka qenë i lartë. Turistët e huaj si polakë apo ukrainas dhe bjellorusë ishin në numra të pakët, për shkak të situatës së pandemisë.

 

Si kanë qenë përshtypjet e turistëve lidhur me Sarandën dhe atë çka ofron kjo zonë?

Në përgjithësi kanë mbetur të kënaqur, qoftë me koston e paketave të Sarandës, të cilat duhet thënë se kanë qenë 20% më të lira se një vit më parë, qoftë edhe për pjesën e natyrës, detit dhe atraksioneve të trashëgimisë kulturore.

 

Saranda ka pasur disa ture të veçanta siç është ai i midhjes apo vizita në Butrint. Si ka qenë frekuentimi i tyre?

Turi i midhjes për këtë vit nuk bëhej fjalë, pasi zakonisht është aktiv deri në qershor dhe më pas bie në qetësi. Por sezoni këtë vit nisi pak me vonesë, ndaj edhe turi nuk ishte i mundur. Turi i Butrintit është klasik dhe ka një preferencë të lartë pasi është UNESCO. Ka pasur edhe ture ditore me anije dhe kryesisht është zgjedhur Krorëza. Në sektorin industrisë detare të lidhur me turizmin ka pasur investime ku, së fundmi, numri i mjeteve detare private ka shkuar në pesë.

Një nga turet e tjera më të pëlqyera është Jeep Safari i Bregdetit përfshirë dhe Pilurin. Është turi më i kërkuar. Kjo lidhet me faktin se është i vetmi tur që i jep mundësinë turistit të prekë çdo gjë që lidhet me destinacionin ku ndodhet, duke nisur me Rivierën, fshatin, lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit, gastronominë dhe kulturën dedikuar polifonisë si pjesë trashëgimisë, kombinuar me plazhin e Himarës me vizitën në Porto Palermo dhe Lëkurësin.

 

Po jahte a ka pasur këtë vit në Sarandë dhe si ka ndikuar pjesa e pandemisë?

Jahte kanë ardhur dhe po vijnë ende, por janë jahte që vijnë nga Italia marrin naftë në Shqipëri dhe kalojnë në Kroaci pasi Italia nuk i lejon direkt mjetet lundruese nga vendi ynë. Turizmi i jahteve nuk ka bërë ndonjë diferencë këtë vit për Sarandën.

Please follow and like us:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *