“Çerçiz Topulli” bëhet me parking 3 kate nëntokë! Hapet tenderi për zonën historike të Gjirokastrës

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ndërtimin e godinës së parkimit dhe hapësirave mbështetëse në Gjirokastër.

Fondi limit është 419 milionë e 186 mijë lekë ndërsa afati për ofertat është deri me 12 nëntor 2020.

Objektivi kryesor i projektit është rivitalizimi i sheshit të Çerçizit dhe ndërtimi i parkimit nëntokësor në sheshin Çerciz Topulli, për të akomoduar dhe ndihmuar menaxhimin e rritjes së flukseve turistike, njëkohësisht duke sjellë koherencë në hapësirat urbane pa ndryshuar trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës.

Objektivat e përgjithshëm të këtij projekti janë:

  1. Rivitalizimi i sheshit Çerciz Topulli
  2. Rivitalizimi i sheshit të Bashkisë Gjirokastër
  3. Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i fasadës së Hotel Çajupit
  4. Konstruksioni i parkimit nëntokësor në sheshin Çerçiz Topulli, në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës.

Nën sipërmarrjen e Programit, AADF po kërkon ta kthejë rajonin e Gjirokastrës në një destinacion turistik me diversitet modelesh të aktiviteteve turistike, të gjitha të orientuara drejt qëndrueshmërisë. Qëllimi është të rritet ndërgjegjësimi global turistik, impakti dhe influenca e flukseve turistike për të vizituar zonën dhe bazat e tjera lokale turistike. Politikat e fundit turistike dhe rritja e normave të turizmit në zonë i kanë dhënë një nxitje trafikut në zonë, veçanërisht në sezonin e lartë të turizmit, duke ushtruar presion në rrjetin rrugor dhe duke rritur kërkesën për parkim.

Në mënyrë që të plotësohet kërkesa në rritje e parkimit është e nevojshme të sigurohen ambiente parkimi jashtë rrugës, në afërsi të zonave më të vizituara, ku parkuesit mund të arrijnë në destinacionin e dëshiruar sa më shpejt të jetë e mundur. Për të arritur akomodimin e të gjitha automjeteve dhe mjeteve të transportit të turizmit, AADF ka mbështetur përgatitjen e një projekti të detajuar për rivitalizimin e sheshit dhe parkimin nëntokësor në Sheshin Çerçiz Topulli, në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës, ndërsa punimet e zbatimit do të kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Zona e zbatimit të projektit shtrihet në 3 parcela kadastrale me Nr. pasurie 8/142 me sipërfaqe 6112.8 m2, 8/137 me sipërfaqe 3100 m2 dhe 8/134 me sipërfaqe 521.5m2, të cilat sipas informacionit zyrtar të dhënë nga Bashkia Gjirokastrër janë të treja të regjistruar në regjistrat e hipotekës me status juridik të pronësisë SHTET. Kjo zonë është e mirënjohur në  Gjirokastër dhe nga turistë të shumtë pasi është sheshi që bën të mundur hyrjen në zonën e Pazarit të Vjetër të Gjirokastrës” shkruhet në dokumentet e tenderit.

Ndërhyrjet e deritanishme të njeriut kanë qenë pothuajse fare në këtë zonë, që pas ndërtimit të sheshit në vitet ’60, kjo pasi ka mbetur e konservuar edhe pas viteve ’90 dhe më vonë me mbrojtjen edhe nga UNESCO.

Përllogaritja e numrit të nevojshëm të parkimeve nis nga studimi flukseve aktuale të parkimit publik dhe më tej pritshmërive për numrin e vizitorëve në perspektivë. Aktualisht në një vezhgim të bërë nga projektuesi, parkimi publik ekzistues prej 80 autoveturash është pothuajse gjatë gjithë ditës i plotësuar dhe në orë të caktuara edhe i pamjaftueshëm, duke detyruar vizitorët të gjejnë alternativa të tjera të mundimshme në brendësi të qendrës  historike. Pra, në kushtet aktuale numri i parkimeve të nevojshme duhet të jetë të paktën 120 makina ku në fundjavë edhe më tepër se 150 makina.

Ndërkohë rigjenerimi tërësor me investime publike restauruese i kalasë, pazarit, shtëpive të kategorisë së parë, etj, do të rrisin gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj në të ardhmen. Aktualisht kapacitetet hoteliere të qendrës historike të Gjirokastrës janë të pamjaftueshme për të përballuar flukse vizitorësh në të ardhmen. Gjithsesi, po vihen re tendenca të adaptimit të godinave ekzistuese në funksione hoteliere siç është rasti i shtëpisë Babameto. Me kryerjen e investimeve publike të sipërpermendura do të rritet në vazhdim interesi për shtesa në numrin e shtreterve hotelier në qendrën historike. Ky do të jetë një proçes I vazhdueshem paralel, por që do reflektojë në të ardhmen edhe kërkesa për parkim në momentin e arritjes.

Gjithashtu, përveç vizitorëve vendas dhe të huaj, që kryesisht jetojnë e punojnë në Shqipëri, në të ardhmen mund të ketë flukse vizitoresh nga vendi fqinj, Greqia. Përveç organizimeve me agjensi udhëtimesh me autobuza do mund të ketë edhe flukse të tjera spontane nga shtetas Grek apo të huaj, qe do mund të vizitojnë Gjirokastrën me makina personale apo të marra me qera. Edhe këta do duhet të përllogariten në numrin e përgjithshëm të vizitorëve të cilët do duhet të shërbehen me parkim gjatë harkut të ditës. Godina e Bashkisë si Institucioni më i rëndësishëm publik lokal duhet të ketë të paktën 20-30 vende parkimi të dedikuara.

Shumica e punonjësve të tij jetojnë në lagjen e re të Gjirokastrës “18 Shtatori” e cila është fizikisht e pamundur të arrihet përveçse me transport publik ose mjet transporti privat. Kështu të paktën 20% e stafit duhet përllogaritur në numrin e parkimeve të nevojshme të dedikuara për institucionin e Bashkisë.

Gjithashtu, edhe një numër makinash, të paktën 4-5 duhet përllogaritur për vizitorët bashkëpunëtorë ditor të saj. Parkim i dedikuar duhet përllogaritur edhe për hotel turizmin “A.Z. Çajupi”, i cili ka një kapacitet prej 40 dhomash ku të paktën për gjysmën e tyre duhet përcaktuar parkim i dedikuar, duke përllogaritur mesatarisht 70% të përmbushjes së kapacitetit të tij dhe faktin, që 1 makinë mund t’i përgjigjet 2 dhomave njëkohësisht. Pra, në total rreth 20 makina të dedikuara për hotel “A.Z. Çajupi”-n.

Vetëm në kushtet aktuale do kishte nevojë për më shumë se 200 makina me përllogaritjet e përafërta për të gjitha funksionet e mësipërme. Por nevojat për parkim duhen parë në kontekstin e zhvillimeve në perspektivë. Që prej 2 vitesh Gjirokastra është jo më shumë se 3 orë larg nga Tirana dhe me përfudimin e unazës së Fierit planifikohet të jetë jo më shumë se 2.5 orë, që do të thotë se është më se i arritshëm nga kryeqyteti i Shqipërisë.

Projektuesi ka analizuar potencialin, që përmban sheshi “Çerçiz Topulli” për realizimin e nje parkimi nëntokësor pa cënuar morfologjinë ekzistuese të sheshit si pjesë e memories historike të qëndrës historike.

Sheshi “Çerçiz Topulli” i ndërtuar rreth viteve ’60 është realizuar me mbushje në relievin ekzistues të kodrës së kalasë dhe mbajtja e tij me një mur perimetral masiv prej guri nga 6-8 m i lartë. Kufijtë e tij janë përcaktuar dhe përkufizuar me objektin e hotel Turizmit “A.Z.Çajupi” dhe murin në “këmbët” e godinës se Bashkisë në Jug. Dimensioni total i sheshit në kushtet aktuale është 37x110m.

Projekti ka marrë parasysh këtë dimension gjeometrie  për të parë mundesinë se çfarë numri makinash mund të sigurohen potencialisht si maksimum nga një parkim nëntokësor pa ndryshuar morfologjinë ekzistuese të sheshit. Me 1 kat parkim realizohen 98 makina me 2 kat 198 makina dhe me 3 kat 298 makina.