DETAJET/ Miratohet programi: Naftë falas për fermerët

Duke nisur nga 1 janari , të gjithë fermerët që përdorin mjete të motorizuara për të punuar tokën do të përfitojnë nga programi më i ri shtetëror, ai i naftës falas.
Lajmi u bë i ditur ditën e sotme nga Kryeministri Rama, në mbledhjen ekonomike të radhës.
Programi funksionon me një mesatare të përllogaritur të konsumit të traktorit dhe mjeteve të tjera të rënda për punimin e një hektari tokë sipas secilës kulturë të mbjellë.
Në sasinë e konsumuar, shteti lehtëson për fermerët barrën e akcizës, taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, një lehtësim prej pothuajse 70 lekësh për litër.
Diferenca e nxjerrë nga çmimi i tregut dhe zerimi i taksës shkon për fermerin e gjitha si naftë falas, në një kartë të posaçme me të cilën do të pajisen të gjithë të interesuarit.
Karta do të jetë e vlefshme në të gjithë apo në një pjesë të pikave të karburantit (mbetet për t’u përcaktuar), ku fermerët do të munden të tërheqin në moment sasinë e tyre të naftës falas. Fillimisht, të regjistrueshëm në këtë program do të jenë rreth 47 mijë fermerë që janë të pajisur me NIPT. Të gjithë të interesuarit e tjerë përfitojnë duke krijuar edhe ata një NIPT.
Sa i përket aplikimit ai do të jetë falas dhe në kohë reale përmes një formulari që plotësohet elektronikisht në e-Albania.
Për vitin e parë, në total ky program do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 10 milionë dollarë.
Në parashikimet e qeverisë, programi i naftës falas do të shërbejë njëkohësisht për të formalizuar sektorin, për të rritur eksportet dhe për të identifikuar më mirë nevojat dhe fermat që do të mbështeten me subvencione në vitet në vijim.
Bujqësia është ndër të paktët sektorë të paprekur nga kriza e COVID, me një rritje reale prej 3.5% në tremujorin e parë dhe një rritje reale 2.63% në tremujorin e dytë që përkon me periudhën e karantinës.
Në harkun e 5 viteve të fundit, si rrjedhojë e një sërë paketash për bujqësinë, vlera e eksporteve shqiptare është rritur nga 140 në 350 milionë dollarë.
Programi i ri do të jetë një lehtësi shtesë, për rritjen e mëtejshme të aktivitetit bujqësor dhe eksporteve në vendin tonë.