Nga aeroporti tek porti, Saranda në fokusin e qeverisë në investimet e vitit 2021

Në konferencën e kësaj të mërkureje, kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Infranstrukturës Belinda Balluku ia kushtuan ekonomisë dhe investimet madhore që janë parashikuar për tu investuar pas miratimit të buxhetit për vitin 2021.

Në fokusin e investimeve përfshihej edhe qyteti i Sarandës, kur së shpejti pritet që të realizohen disa projekte madhore si ndërtimi i aeroportit, investimet tek porti, apo dhe përfundimi i rrugës Kardhiq-Delvinë, që do të ketë një impakt pozitiv dhe shtim të turistëve në Sarandë.

“Po përpiqemi që të çajmë pengesat që ka shkaktuar pandemia për ndërtimin e aeroportin të Vlorës.

Gara është ndërprerë për momentin si pasojë e pandemisë.

Sa të mbyllet gara për aeroportin e Vlorës, ne jemi gati të hapim garën për aeroportin e Sarandës,”- tha Rama.

Ndërkohë, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka dhënë dsia detaje më të hollësishme se si do të funksionojë aeroporti në Sarandë.

Balluku tha se aeroporti i Sarandës do të funksionjë siç është ai i Korfuzit, pra në periudhën e sezonit turistik.

Ministrja theksoi se aeroporti do ti plotësojë të gjitha kushtet optimale, i cili do të ketë një ndikim pozitiv në ekonominë e Sarandës.

“Aeroporti i Sarandës po e përsëris që kemi përfunduar studimin dhe kemi gjithçka gati, ku menjëherë pas përfundimit të garës për Vlorës do nisim garën për Sarandën, i cili do të jetë një aeroport modest, sezonal siç ka dhe shteti fqinj aeroportin e Korfuzit që punon diku nga muaji mars deri në muajin tetor.

Por, që do të përmbushë të gjitha kushtet për turizëm masiv, por dhe turizëm elitar”, tha gjatë konferencën për shtyp Belinda Balluku.

Ndërkohë, një tjetër pikë e rëndësishme ishte dhe investimet në infrastrukturë, që gjatë vitit 2021 shumica prej tyre do të përfundojnë plotësisht.

Ministrja informoi se një ndër rrugët që duhen përfunduar gjatë 2021 janë “lotet e rrugës së rëndësishme Kardhiq- Delvinë e cila do të lidh pjesën e Gjirokastrës dhe Tepelenas me bregdetin e vendit”- deklaroi Balluku.

Dhe ky segment është mjaft i rëndësishëm për Sarandën, pasi do shkurtonte ndjeshëm distancën për të mbërritur në këtë qytetit, që pritet të ketë një fluks të shtuar të turistëve vendas dhe të huaj.

Këto ishin disa nga pikat kryesore dhe të rëndësishme të konferencës së sotme, sa i përket investimeve në Sarandë, që së shpejti pritet që të nisë dhe puna në terren. / Përgatiti Sarandanews.com/